Në bashkëbisedimin e sotëm që kreu i FSHF-së, Armand Duka, bëri me gazetarët për përmbylljen e fazës elemintarore të kombëtares, ai foli dhe për bojkotin e “Tifozave Kuq e Zi”.
Duka hoqi përgjegjsitë e FSHF-së duke u shprehur se kontrrolli në stadiume nuk varet nga ata.
“Prezenca e tifozëve në stadium ka qenë e mirë. Problemi që kemi pasur mund të jetë bojkoti nga një grupim shumë i rëndësishëm, ai i “Tifozëve Kuqezi”. Nuk varet nga FSHF-ja kontrolli në stadium dhe nuk dua të fajësoj ndonjë institucion si Policia e Shtetit, që bën detyrën e vet. Diku mund të teprohet me sigurinë, por ajo që dëmtohet në këtë rast është ekipi.
FSHF nuk siguron dot kontrollin apo jo, apo mënyrën e kontrollit. Policia ka njerëz që në ndonjë moment mund ta kenë tepruar, por këtë nuk di ta them me siguri. Në çdo rast mund të kesh pakënaqësi, por kjo nuk do të thotë se duhet të bojkotosh Kombëtaren. Qëllimi mbetet ta mbështesësh atë, siç ka ndodhur në ndeshjet jashtë. Le të fillojmë mbarë sezonin e ri, ta mbështesim të gjithë”, tha Duka.