Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale. Gara zgjedhore zhvillohet në 38 komuna, ku do të votohet për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale. Të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri në këto momente i gjithë procesi është duke shkuar qetë.
“Sa i përket anës së Policisë së Kosovës gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve operacionale policore. Të gjithë zyrtarët policorë kanë dalë nëpër detyrat e tyre të caktuara me plan dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, tha Kelani.
Autoritetet e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale që mbahen sot.
“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Hapen qendrat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar hapjen e 899 qendrave të votimit, me 2,505 vendvotime.
Për monitorimin e zgjedhjeve, KQZ-ja ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje.
Në këto zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetarë komune apo për këshilltarë në Kuvendet Komunale).
KQZ-ja ka certifikuar 7,091 kandidatë, prej tyre 6,887 janë kandidatë për asambletë komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetarë komunash.