Partizani fillon merkaton, shënjestron mesfushorin brazilian të Kamzës

24 Tetor 2017, 12:47Sport TEMA

Epoka “Moxhi” është shoqëruar me lëvizje të shumta në merkaton e verës, ku afruan 15 lojtarë të rinj, por me sa duket ata nuk i kanë përligjur pritshmëritë e drejtuesve. Të pakënaqur nga rendimenti i afrimeve, drejtuesit e kuq po përgatiten për një tjetër revolucion në janar. Ndaj, për të mos përsëritur gabimet e verës, drejtuesit e Partizanit kanë nisur me kohë punën për të gjetur lojtarët e duhur.

Përforcimet e shumta nuk kanë arritur që të plotësojnë boshllëkun që lanë lojtarët që u larguan në verë. Një nga këto boshllëqe ka të bëjë edhe me zëvendësuesin e Ylber Ramdanit, i cili u shit në Danimarkë për 200 mijë euro (shumë e pakonfirmuar nga klubi). Ndaj, drejtuesit e kuq, me në krye Luçiano Moxhin dhe Antonelo Preitin, janë vënë në kërkim të gjetjes së një mesfushori shkatërrues.

Braziliani i Kamzës, Bruno Arrabal, sikur i ka bërë për vete drejtuesit e kuq, ndaj kanë shprehur dëshirën që ta afrojnë në janar. Por që të realizohet kjo lëvizje duhet miratimi i klubit të Kamzës, me të cilët braziliani ka nënshkruar kontratë njëvjeçare në fillim të sezonit. Burime pranë klubeve bëjnë me dije se kamzalinjtë janë njohur me kërkesën e “demave” dhe, në ditët në vijim, pritet që palët të kryejnë bisedimet zyrtare, shkruan “Panorama Sport”.

Në sezonin e shkuar, Partizani luajti shpesh me skemën 4-1-4-1, por për momentin të kuqtë nuk e kanë shkatërruesin e mirëfilltë për ta zbatuar këtë modul.

Braziliani Uarlej, i rekomanduar nga Bebeto, u mendua se do të ishte i duhuri për këtë rol, por ai ende nuk ka debutuar me “demat”. 25-vjeçari Arrabal ka luajtur në disa klube dhe, para se të vinte te Kamza për dy sezone, ka mbajtur veshur fanellën e qipriotëve të Etnikos Aknas. Arrabal ka luajtur 6 ndeshje me Kamzën në këtë sezon, ku pesë herë e ka nisur si titullar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje