Partizani po vuan për të marrë rezultate pozitive dhe për këtë të gjithë fajësojnë veçanërisht sulmin, që nuk po gjen golat. Edgar Çani dhe Xhevahir Sukaj, dy qendërsulmuesit e të kuqve, kanë pasur probleme me dëmtimet, sidomos i pari, i cili erdhi me shumë bujë.
Çani kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në Itali dhe në asnjë moment nuk ka mundur të shafqet në formën optimale, pasi gjuri e ka shqetësuar gjithmonë. Gjendja e tij fizike u bë çështje madje që në fazën përgatitore.
Pas humbjes me Flamurtarin në shtëpi, Luçiano Moxhi, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, shpërtheu ndaj Çanit, duke u shprehur se do ta priste vetëm 10 ditë dhe se në janar duhet të blejë sulmues.
Çani në fakt ka folur direkt me Moxhin dhe tani duket se krisja ka marrë përmasa serioze. Gjithsesi, sulmuesi ka nisur të stërvitet, por ai ka nevojë për një fushë me bar sintetik dhe një të tillë e ka “armiku” i betuar i të kuqve, Tirana. Partizani stërvitet në fusha me bar sintetik dhe ky është një problem më vete për lojtarët me probleme fizike.