Kina dënon mosrespektimin e himnit kombëtar në publik

4 Nëntor 2017, 14:33Bota TEMA

Mosrespektimi i himnit kombëtar kinez në publik është tashmë krim që ndëshkohet me dënime të rënda.

Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar të Popullit theksoi se penalizimet do të përfshijnë ndalimin, burgimin deri në tre vite dhe heqjen e të drejtave politike.

Të tilla dënime i janë dhënë më parë edhe personave që përdhosën flamurin dhe emblemën kombëtare në publik.

Ligji do të zgjerohet tashmë edhe në rajonin gjysmë-autonom të Hong Kongut dhe në Makau. Himni kinez është fishkëllyer në ndeshje të fundit të zhvilluara në Hong Kong, ku ndjenjat anti-Pekin po rriten.

Aktivistë të demokracisë shqetësohen se ligji i ri mund të përdoret për të shtypur lirinë e shprehjes në territor, që gëzon të drejta të ndryshme nga Kina.

Vendimet vijnë pasi presidenti Xi Jinping u caktua për një tjetër mandat 5-vjeçar si lider i partisë. Xi, i cili parashtroi vizionin e tij për rritjen e pushtetit të Kinës, ka fituar imazhin e një patrioti rigoroz, i cili do të mbrojë me çdo kusht dinjitetin kombëtar.

Kritikët thonë se kjo qasje shkon krah për krah me shtypjen në rritje të kritikës dhe mospajtimit politik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje