Task Forca kundër krimit dhe momentumi i një arkitekture të re rendi dhe drejtësie

6 Nëntor 2017, 13:03Blog TEMA

Nga Alteo Hysi

Kryeministri Rama njoftoi të dielën se këtë javë fillon punën një Task-Forcë e ngritur pranë policisë së shtetit me mision luftën kundër grimit të organizuar.

Sipas kreut të qeverisë, elementët e grupeve kriminale do të jenë shënjestër e Task-Forcës dhe epoka e të fortëve që përfitojnë nga njerëz të drejtësisë dhe politikanë të shitur te e keqja, do mbyllet njëherë e mirë.

Nuk ka asnjë diskutim që ngritja e Task-Forcës përforcon vetvetiu nevojën që Shqipëria të hyjë në fazën e saj më të rëndësishme të shtetbërjes- hapjen e një kapitulli final për rendin, sigurinë dhe raportin e të dyjave me drejtësinë. E shtron goditjen e të paprekshmëve si domosdoshmëri që nëse nuk realizohet tani përmes kësaj strukture, nuk ka për të ndodhur asnjëherë më vonë.

Në këtë kontekst, ngritja e kësaj task force nuk duhet parë as si një nismë momentale, reagim ndaj një situate që u kuptua pas rënies së mjegullës politike, as si një përgjigje ndaj thirrjes së ndërkombëtarëve për goditjen e të paprekshmëve, aq më pak si një aksion i shpejtë, i izoluar nga gjithë zinxhiri i aksioneve dhe punës së mëparshme të policisë së shtetit në këtë luftë.

Ngritja e task forcës duhet perceptuar si momenti kulmor i një lufte që ka nisur, me humbjet dhe fitoret e veta, në një sistem ku krimi ka qënë trashëgimi e pandëshkueshmërisë së tij.

Mjafton të kujtosh që vlera e aseteve kriminale të sekuestruara së fundmi nga aksionet e policisë është 35 milionë euro, për të kuptuar që ngritja e task forcës nuk është si të ngresh një kështjellë në rërë, por përqëndrim fuqish në luftën kundër krimit, në të cilën policia e shtetit, ka korrur tashmë rezultate që shërbejnë si themelet e arkitekturës së re të rendit, sigurisë dhe drejtësisë,

A mund të jetë kjo task-forcë garancia për atë që Rama e quan “ora e së vërtetës?” A do ta tregojë vërtet fytyrat e atyre që politikën e kanë mjet për të mbrojtur veten nga drejtësia?

Këtë do të mund ta shohim vetëm pas rezultateve që ajo do të korrë, duke patur në avantazhin e saj jo vetëm mbështetjen e FBI-së, por pikërisht kohën. Kohën në të cilën po ngrihet, që është një momentum i zhbërjes së një sistemi të vjetër dhe shansit për hapjen e një historie të re, njëherë e përgjithmonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje