Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, ka shpërthyer në akuza shumë të rënda kundër gjyqtarëve të cilët kanë dënuar ekipin e tij. Në një prononcim për “SuperSport”, Tavo nuk ngurroi të etiketonte gjyqtarët si “bastardë” si dhe tregoi se një ditë më parë e kishin paralajmëruar se do të humbte sot ndeshjen.
“Unë nuk dua të komentoj ndeshjen, sepse e panë gjithë shqiptarët se çfarë estrade ndodhi sot në Gjiroakstër. Na kanë dëmtuar edhe vjet, por nuk ia arritën qëllimit, tani e kanë marrë sërish këtë detyrë, por e bëjmë ne para tyre. Këta gjyqtarë janë të degjeneruar, nuk e di pse i duhen presidentit Duka këta gjyqëtarë. Na kanë masakruar këta lloj bastardësh. Isha në Tiranë dhe më thanë se e kini të humbur ndeshjen. Do të prishim garën.
I bëj thirrje Dukës, i cili është njeri i mençur, që të mos na sjellë këta bastardë. Kjo është një çmenduri. Shikoni tribunat e stadiumit, janë bosh dhe kjo vjen nga këto që ndodhin nga gjykimi. Kemi një mbledhje tani dhe do të marrim vendime: ose do të tërhiqemi nga gara, ose do ta prishim ne kampionatin para se të na e bëjnë të tjerët. Janë miliona ose miliarda, që hidhen në futboll dhe shkojnë dëm.
Çfarë do të thotë të prishim kampionatin? Do luajmë me fëmijë të vegjël, kjo është prishje e kampionatit. Jemi njerëz të qetë dhe të butë, ndaj na e bëjnë këtë. Ata duan të fortin në fushë ose t’u japin diçka, nuk e di. Vetëm këtë sezon kemi disa raste, ku jemi masakruar, si me Kukësin dhe me Vllazninë”, deklaroi Tavo pas përfundimit të takimit.