Të dalim një orë e më parë nga “ishullzimi administrativ”!

18 Nëntor 2017, 13:01Politika TEMA

Nga Ditmir Bushati*

Takimi i sotëm vjen në një çast të rëndësishëm të transformimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Nuk është e tëpërt të kujtoj këtu se shqiptarët na kanë dhënë një mandat solid, për një politikë të jashtme aktive, e cila demonstron vijimësi, duke iu përshtatur në të njëjtën kohë nevojave të vendit.

Jetojmë në një epokë ku siguria, zhvillimi dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është pazgjidhshmërisht e lidhur me zhvillimet përtej nesh.

Jemi të gjithë të ndërlidhur e të ndërvarur në kushtet e një rendi ndërkombëtar në mutacion ku mbizotëron paparashikueshmëria, paqëndrueshmëria dhe mungesa e strategjisë për t’u përballur me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial, që do të krijojë jo vetëm mundësi të reja, por dhe sfida të mëdha.

Ky zhvillim i vrullshëm i teknologjisë së komunikimit po e fshin me shpejtësi kufirin midis çështjeve të brendshme dhe atyre të jashtme.

Kjo nënkupton që orientimi i politikës tonë të jashtme, krahas objektivave tradicionale të shtjellimit të diplomacisë klasike, duhet të ketë në fokus aspektin ekonomik dhe zhvillimor.

Nëse qëllimi i diplomacisë tradicionale është paqja, atëherë qëllimi i diplomacisë ekonomike është paqja përmes zhvillimit dhe mirëqënies. Shembulli më i mirë i kësaj është Bashkimi Europian, ku mirëqënia e bashkëpunimi mes vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik ka siguruar jetëgjatësinë më të madhe të paqes e sigurisë në historinë e kontinentit tonë.

Në fakt, thuajse çdo çështje politike mbart një dimension ekonomik. Dhe se shumë prej mosmarrëveshjeve politike mund të zgjidhen duke ndërthurur politikën me ekonominë. Është ky dimension që duhet të na kujtojë ne si shërbim i jashtëm, se nuk mund të jemi vetëm konsumatorë, por në radhë të parë kontribues në zhvillimin ekonomik të vendit.
Shpesh bëhet një kundërvënie e gabuar midis vlerave dhe interesave, sikur ato të jenë përjashtuese të njëra-tjetrës.

E për pasojë diplomacia, që bazohet në vlera, nuk duhet të përzihet me ekonominë, që bazohet në interesa.

Unë mendoj se interesat duhet të burojnë nga vlerat. Shqipëria ka shumë vlera të cilat duhet të njihen nga të tjerët nëpërmjet promovimit tonë. Ekspozita “Marubi”, konkursi “Colours of Albania” janë një fillim premtues por assesi nuk shterrojnë punën tonë në drejtim të njohjes dhe përcjelljes së vlerave tona tek të tjerët.

Ky promovim nuk bëhet as në boshllëk e as duke improvizuar. Ai kërkon një qasje krejt të re duke zbatuar skema e formula për promovim efikas të Shqipërisë atje ku nuk na njohin. Apo edhe me keq, aty ku na njohin keq.

Na duhet të kapërcejme veten dhe atë çfarë dijmë të bëjmë më mirë, pra notat verbale, telegramet dhe komunikimin diplomatik e konsullor mes të ngjashmëve, e të përftojmë aftësi të cilat i përgjigjen nevojave e realitetit, ku jetojmë, të ndërlidhur e të varur prej zhvillimeve jashtë nesh.

Këtu, na duhet të mësojmë nga eskperiencat më të mira të vendeve me madhësi të ngjashme, por me vizion më përparimtar dhe ndjeshmëri më të madhe për pasojat që puna jonë e përditshme, traktatet, marrëveshjet e ceremonitë diplomatike kanë në jetët e njerëzve dhe komuniteteve.

Këtu ne mund të fuqizojmë instrumentat ekzistues diplomatikë si për shembull komisionet ekonomike dypalëshe, nismat rajonale dhe ndërkombëtare si Procesi i Berlinit dhe nisma Kinë- Europë Qendrore e Lindore 16+1.

Por kjo është vetëm abc-ja e punës sonë diplomatike: ne duhet të integrojmë organikisht në punën tonë të përditshme një vizion të ri për misionin që na është ngarkuar.
Si mund të përkthehet kjo në hapa konkretë?

Së pari, të shndërrojmë përfaqësitë tona diplomatike në qendra informacioni të vlefshëm. T’i kthejmë ato në one-stop-shops për shërbimin ndaj njerëzve dhe promovimin e mundësive për biznes në Shqipëri.

Së dyti, të përmirësojmë cilësinë e burimeve njerëzore. Një shërbimi modern diplomatik i duhen aftësi dhe jo thjesht CV.

Së treti, të forcojmë rrjetet e konsujve të nderit të Republikës së Shqipërisë. Ky është një resurs në funksion të punës sonë i cili duhet të shfrytëzohet më mirë.

Së katërti, duhet të ndërthurim burimet tona njerëzore dhe dijen e shërbimit të jashtëm me metoda inovative dhe moderne të komunikimit.

Mediat sociale janë shembulli më kuptimplotë i metodave të reja të komunikimit me cilësi të lartë dhe kosto të ulët, në një botë të ndërlidhur marrëdhëniesh njerëzore. Brenda pak vitesh ne arritëm të shndërrohemi nga një aktor inekzistent në pikë referimi për shumë rrjete të tjera individësh e organizatash nëpërmjet aktivizimit në FB, Tvitter e Instagram. Madje jemi të parët në rajon me aplikacion të dedikuar si për shërbimet konsullore ashtu edhe për udhëtarët jashtë vendit.

Por teknologjia nuk e zevëndëson dot njeriun. Prandaj, së pesti, dhe kjo lidhet drejtëpërsëdrejti me idenë e nevojës sonë për t’u rrjetëzuar e komunikuar me mirë: përfaqësitë tona duhet të krijojnë e ushqejnë marrrëdhënie me botën, me shoqëritë ku punojnë. Kjo përfshin komunikimin e strukturuar me median, universitetet, think-tanket dhe me individë të cilët formësojnë opinionin publik në vendet e tyre.

Së gjashti, të njohim mirë ndjeshmëritë, interesin për ne, përparsitë ekonomike dhe përfitimet që një vend e jo një tjetër mund të ketë për Shqipërinë. Për shembull, duhet të ketë një arsye pse fqinji ynë Mali i Zi importon agrume nga Amerika Latine dhe jo nga Saranda. Se përse disa nga produktet tona bujqësore dhe të peshkimit nuk arrijnë të penetrojnë e promovohen në tregun e BE-së.

Unë pres që secili prej jush të mendojë, propozojë, iniciojë e ideojë sesi mund të punohet më mirë me një numër vendesh me të cilat na lidhin fort interesat dhe këndvështrimi politik, por më të cilët njihemi pak ose aspak në aspektin ekonomik e zhvillimor.

Kjo do të thotë gjithashtu të arrijmë të kemi një analizë të asaj që prodhohet dhe eksportohet nga Shqipëria, për të krijuar sinergji që funksionojnë. Duhet të angazhohemi për të vendosur kontakte me kompanitë profilet e të cilave përshtaten me avantazhet e ekonomisë shqiptare, për të organizuar takime e vizita, e për të sjellë sa më shumë investitorë në Shqipëri.

Së shtati, të shohim zonat ndërkufitare e shqiptarët që jetojnë në rajon, si potencial ekonomik, njerëzor e zhvillimor. E mendoj shpesh këtë kur udhëtoj në të gjithë Shqipërinë: si mund ta promovoj më mirë jashtë vendit, një prodhim unik, një produkt vendas, apo një talent në universitetet tona që nuk e gjen veten në Shkodër, Gjirokastër apo Elbasan.

Çfarë mund të mësojmë në këtë drejtim nga vendet afër nesh, burimet e të cilëve krahasohen me tonat, por të ardhurat e tyre nga turizmi i tejkalon të ardhurat tona disafish.

Së teti, shqiptarët jashtë atdheut përbëjnë asetin tonë më të cmuar, si ambasadorë të natyrshëm të Shqipërisë në botë. Ndihma e tyre në akses e informacione dhe në mundësi për investime kërkon vetëm strukturim dhe një partner të besueshëm te shërbimi ynë duke u bazuar te themelet që hodhi Samiti i Parë i Diasporës.

Së fundmi, sa e njohin diplomatët tanë vendin e tyre? Sa e njohim Shqipërinë jashtë zyrave tona? Këto tre ditë, shpresoj fort, se do të ndihmojnë që ju të njiheni më mirë me legjislacionin vendas që lidhet me ekonominë, tregtinë, transportin e jo më pak me autorsinë intelektuale e trashëgiminë kulturore.

Për këtë kemi nevojë të dalim një orë e më parë nga “ishullzimi administrativ” e mbajtja e informacionit sipas modelit të punonjësit të “Pallatit të Endrrave”.

Ky aktivitet duhet të na afrojë më shumë drejt formateve bashkëkohore të modelit A2B (ambassador to business): e konsultave mes diplomatëve dhe aktorëve ekonomikë, si publikë ashtu edhe private.

Besoj se të gjithë bashkë, në punimet e këtyre tre ditëve, do të arrijmë të shikojmë mundësi të reja dhe zgjidhje efektive, për ta kthyer shërbimin e jashtëm, në një kontribues të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
*Fjala e ministrit Bushati në hapjen e punimeve të aktivitetit “Takim me Ambasadorët”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje