Më në fund rikthehet buzëqeshja tek ekipi i Partizanit. Të kuqtë kanë marrë tre pikë shumë të rëndësishme në sfidën e javës së 11-të në një transfertë të vështirë në “Zeqir Ymeri” kundër skuadrës së Kukësit.
15 herë kampionët e vendit bënë një përmbysje perfekte përballë kampionëve të Shqipërisë duke dalë nga transferta e Kukësit me pikët e plota.
Një fitore që ngre lart moralin e ekipit të Sulejman Starovës, të cilët që nga starti i sezoznit nuk kanë shfaqur një performancë të mirë, duke zhgënjyer me paraqitjen e tyre në fushë.
Por, fitorja e sotme ishte një sinjal pozitiv për ekipin që zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mirë përballë Kukësit që edhe pse kaloi i pari në avantazh me anë të një 11 metërshi të dyshimtë që u shëndërrua në gol nga Guri nuk arriti dot që të ruante epërsinë.
Reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm që arriti të përmbysë shifrat që në pjesën e parë me anë të Jurgen Bardhit dhe Gerhard Prognit që shënuan për të kuqtë duke i dhënë fitoren skuadrës së tyre pas tre humbjeve rradhazi.
Kryeqytetasit ngjiten në vendin e gjashtë me 14 pikë të grumbullura, ndërsa Kukësi bie në vendin e tretë me 19 pikë.
Ndërkohë, takimi tjetër mes Luftëtarit dhe Laçit u mbyll në barazimin 1-1.
Të parët që kaluan në avantazh ishin bluzinjtë me anë të Abazajt, por kurbinasit barazuan në fund me Gjonin.
Pas këtij barazimi Laçi renditet në vendin e pestë me 15 pikë, ndërsa Luftëtari pozicionohet në vendin e tetë me 9 pikë.( TemA)