Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka qenë i lumtur pas fitores së arritur në “Loro Boriçi” kundër Luftëtarit.
Gjoka foli rreth suksesit të sotëm dhe një mundësisë së afrimit të bomberit Pero Pejiç tek kuqeblutë.
“Ishte fitorja e dytë për ne në ndeshjen e dytë brenda. Sigurisht që skuadra do kohë që të vijë aty kua duam ne, por ishte një fitore morali, që e kërkuam deri në fund dhe e arritëm.
E rëndësishme është që të shënohet goli dhe të fitojë Vllaznia, pastaj se shënojnë mesfushorët, mbrojtësit apo sulmuesit, nuk ka shumë rëndësi.
Pero Pejiç? Ai është një lojtar me vlera, të gjithë e panë se çfarë ka bërë sezonin e fundit me Kukësin. Do të ishte gjë e madhe ta kem në ekip, por ai ka një kontratë me ekipin e tij në Kroaci dhe është shumë e vështirë që të vijë të në Shqipëri. Nuk është e mundur.
Gjithë skuadra ka bërë maksimumin për të dalë nga kjo gjendje. Përveç Orelesit, të gjithë të tjerët kanë dhënë maksimumin. Nuk është se Luftëtari në rrezikoi shumë. Nga dëshira për fitore, për të kapur hapësirat ka bërë që në ndonjë moment të kemi vështirësi”, tha Gjoka.
Kurse, trajneri i Luftëtarit Hasan Lika u shpreh:
“Një humbje që ndikon negativisht por që na jep shpresë. Loja që ne zhvilluam ishte ajo që duhej, por tani do të luftojmë në çdo ndeshje për të marrë pikët. Ne luajmë mirë por na mungon eksperienca, pasi gabojmë në momentin kur nuk duhet. Humbëm një ndeshje të cilën duhej ta kishim fituar”.
Ne na mungoi pasimi i fundit sepse e kapëm disa herë në kundërsulm ekipin e Vllaznisë. Luajtëm një lojë të kujdesshme duke e kapur shumë herë pa pregatitur Vllazninë. Ne do të vazhdojmë të luajmë futboll, pasi do të dalim nga kjo situatë duke fituar dhe duke luajtur një futboll të bukur”, u shpreh trajneri i bluzinjve Hasan Lika. (TemA)