Rrëfehet Mimi Kodheli: Marrëdhëniet me Ramën dhe momenti më i vështirë si ministre

28 Nëntor 2017, 18:35Politika TEMA

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka qenë e ftuar në emisionin “Pasdite” në Top Channel, ku ka rrëfyer disa detaje nga puna e saj si ministre, si dhe marrëdhëniet me Edi Ramën.

Kodheli tha se momenti më i vështirë si ministre ka qenë aksidenti me pasojë vdekjen e dy pilotëve të aviacionit ushtarak shqiptar.

Ajo tha se ai ka qenë një moment që nuk e ka përjetuar si titullarë e ministre, por si një nënë që për ta do të kishte bërë gjithçka t’ i rikthente në jetë.

Ish-ministrja u shpreh se pilotët e ndjerë i kishte takuar vetëm dy ditë pra se të ndodhte ngjarja e rëndë.

Ndërsa në lidhje me Ramën, Kodheli u shpreh se “u kontaktova nga Edi Rama dhe pas disa muajsh insistimi të tijin për t’u bërë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, vendosa të pranoja’’.

Kodheli tha se puna e 4 viteve si nënkryetare e Bashkisë e ka bërë krenare dhe e ka angazhuar më tej për të dhënë më të mirën.

Ajo kujtoi se këto sakrifica në vitin 2001 i ka bërë me dëshirë edhe pse i ka kushtuar dhe i ka marrë shumë kohë nga familja.

Lidhur me marrëdhënien e punës me Edi Ramën në Bashki dhe në Kryeministri, ajo thotë se kanë qenë dy marrëdhënie bashkëpunimi të ndryshme.

Deputetja e Partisë Socialiste ka ndarë me publikun edhe disa “sekrete” të jetës së saj.

E martuar tashmë prej më shumë se 30 vitesh me arkitektin Lek Kodheli, Mimi rrëfeu në studion e Juli Krisafit se, ishte pikërisht emri i saj që e bëri kureshtar bashkëshortin e saj të ardhshëm.

“Unë dhe bashkëshorti kemi punuar në të njëjtin sistem. Im shoq është ndierë i çuditur dhe ka qenë shumë kurioz për këtë emër jo të zakonshëm. Diku e ka lexuar dhe është bërë kurioz se çfarë ishte ky emër, kush ishte ky individ, ky personazh. Unë në atë kohë quhesha ende Mimi Vata”, është shprehur ish-ministrja e Mbrojtjes.

Më tej, ajo ka treguar edhe për historinë e emrit të saj.

“Babai im ka qenë një i apasionuar i muzikës së Puccinit. Ka pasur shumë pasion muzikën klasike dhe duke qenë fëmija i parë, gjithçka që njihte, gjithçka që dinte, donte që të personifikohej tek unë”, rrëfen Mimi Kodheli.

Mimi është personazhi kryesor i “La Boheme”, operës ndoshta më të njohur të kompozitorit italian Giacomo Puccini.(TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje