Andi Bushati ka folur për situatën e përmbytjeve dhe menaxhimin e qeverisë dhe akuzat e opozitës.
Ai shprehet se si maxhoranca edhe opozita dikur në qeveri kanë dështuar me menaxhimin e mjedisit dhe marrjen e masave duke shtuar se Tirana është më mirë se vitet e tjera.
Sa i përket deklaratave të opozitës, Bushati thotë në rubrikën “Opinion” në News 24 se janë të vërteta të mbushura me hipokrizi.
Ndërkohë, në lidhje me akuzat e ashpra të Sali Berishës, Bushati tha se ai ka memorie të shkurtër duke i sjellë në vëmendje qeverisjen e tij.
“U bë viti i disajt që përballemi me të njëjtin fenomen dhe është e vështirë të gjesh të vërtetën. Kemi parë që kur Berisha ishte në pushtet dhe Rama në opozitë, bëhej prapë i njëjti debat. Ka dalë një video, ku Rama tregon atëherë lideri i opozitës që vendi nuk mund të përmbytet në këtë mënyrë.
Tani kemi parë Bashën që thotë e gjitha është propagandë, njerëzit po vuajnë etj. Po përtej debatit të pasinqertë duhet të pranojmë faktin se si njëra palë ashtu edhe tjetra kanë dështuar me menaxhimin e mjedisit dhe marrjen e masave.
Po të krahasosh Tiranën e këtij viti me Tiranën e viteve të kaluara, është më mirë. Puna që është bërë që në verë ka dhënë efekte edhe tani ku u përballëm me gjëmat e shiut. Marrim rastin tjetër. U bë shumë debat për rastin e palmave, çfarë shkaktuan etj.
Shkoni prapë në autostradë dhe shihni palmat që janë para bizneseve private. I njëjti mot, e njëjta kohë, ato lulëzojnë. Gjithçka me një menaxhim më të mirë, mund të jetë më e mirë. Gjithçka që shihet si pronë e përbashkët dhe për atë nuk kujdeset njeri, edhe palmat thahen, edhe përmbytjet ndodhin dhe ndodh si ajo që ndodhi në autostradë.
Ajo që thotë opozita që punët mund të bëheshin më mirë, është e vërtetë. Por nuk është bërë as atëherë kur opozita ka qenë në pushtet. Është kollaj të flasësh por puna si sillesh kur je në menaxhim.
Debati si po përballemi me ndryshimet klimatike është debat global dhe nuk i përket vetëm Shqipërisë. Debati ynë lokal është debati për të menaxhuar gjërat e përditshme dhe të zakonshme. Kjo qeveri që kur ka ardhur ka një problem, fokusohet tek punët e fasadës.
Po të kthehemi mbrapa a ishte aq e nevojshme të hidheshin miliona euro për fasadë për rilindjen urbane kur mund të investohej për ujin, që të mos ndodhnin këto përmbytje. Rama ka thënë shpesh edhe kur është e varfër a do e kritikonit ju një grua që shpenzon para për të vënë buzëkuq? Problemi nuk është tek varfëria por tek prioritetet.
Berisha arron që ka qenë ai kryeministër. Thotë 100% të kundërtën e atyre llafeve të para 5 viteve” (TemA)