Për Romela Begajn dhe flamurin e turpit tonë në SHBA!

4 Dhjetor 2017, 23:39Politika TEMA

Nga Alfred Peza

Lajmi se Romela Begaj u shpall kampione bote në stilin e shkëputjes në peshëngritje dhe u bë fituese e medaljes së argjendtë në dygarësh, shkëlqeu në mes të “errësirës” së përmbytjeve ku ishte zhytur prej disa ditësh Shqipëria, për shkak të motit. Ishte një rezultat historik, i arritur nga një sportiste 31 vjeçare e talentuar, e cila ka spikatur herët, për ta arritur zenitin e karrierës së saj në botërorin e SHBA. Vetëm 1 kg larg podiumit të medaljeve ishte edhe Erkand Qerimaj në stilin e shkëputjes, një rezultat që do na e çonte në 3 numrin e tyre për ekipin tonë të përbërë nga… vetëm 3 sportistë.

Deri këtu, gjithçka duket brilante, për aq kohë sa nuk shohim përtej këtyre shifrave dhe rezultateve. Por si për dreq, atëherë kur ia arrijmë pas kaq shumë vitesh e gjeneratash që të ngjitemi në majën e çatisë së sportit botëror, do na ndodhi gjithmonë diçka që të na e ngrijë buzëqeshjen në buzë. Për ta kuptuar këtë, mjafton të shohësh sekuencat e garës dhe të ceremonisë së shpërndarjes së medaljeve.

Në momentin magjik të marjes së medaljes së Kampiones së Botës, ndërkohë që “këndohej” edhe himni ynë kombëtar, flamuri kuqezi që ngjitet bashkë me dy të tjerët e zonës së medaljeve, stonon keqaz. Ishte një famur jashtë parametrave zyrtarë të simbolit tonë kombëtar. I vogël. I stampuar mbrapsht. I shëmtuar. Stononte sa të bënte të skuqeshe deri në majën e flokut tek e shihje edhe nga ekrani i televizorit ashtu të mjerë.

Megjithatë Romela Begaj me përulësinë e përherëshme dhe me krenarinë e momentit, e përjetoi të gjithën këtë, me dinjitetin e lartësisë së çastit. Nga ana tjetër, sdo ta kalonin vetëm pak kohë nga përfundimi i garës së Erkand Qerimajt dhe në facebookun e tij do të lexonim: “Një kile larg medaljes në botëror, me sa duket nuk ishte dita ime. Kështu është kur ekipi ynë kombëtar nuk ka një fizioterapist në botëror”. E pas kësaj, filluan të riqarkullonin nëpër media dhe rrjetet sociale, fotot e asaj që quhet palestra e ekipit tonë përfaqësues të sportit më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, në historinë e Shqipërisë. Një vend që mund të meritojë çdo lloj emri e përcaktimi, përveç palestër për ekipin tonë kombëtar, nuk mund të quhet.

Eshtë vajtuese kur mendon se kushtet e sotme të këtij sporti elitar për Shqipërinë, të jenë dukshëm nën standardin e secilës prej palestrave private jo vetëm në Tiranë që po e po, por kudo nëpër Shqipëri. Këto e shumë probleme të tjera që ngrihen herë pas here në mediat e specializuara dhe nga ish sportistë dhe ekspertë të fushës, jo vetëm të trishtojnë, por edhe të ndihmojnë. Të ndihmojnë që nëpërmjet realitetit të peshëngritjes shqiptare, të kemi një pasqyrë të qartë të raportit të individit jo vetëm si sportist, por edhe si qytetar i thjeshtë, me institucionet dhe me shtetin shqiptar.

Flamuri I turpshëm (imagjinoni vetëm se sa e sa mijëra e mijëra të tillë shpalosen sa herë që luan Kombëtarja jonë e futbollit?!) I shpalosur në ceremoninë e marjes së medaljes së Kampiones së Botës, mungesa e një fizioterapisti për ekipin tonë përfaqësues dhe kushtet mjerane të stërvitjes së këtyre kampionëve- heronj, teprojnë për të kuptuar se si funksionon jo vetëm Federata e Peshëngritjes. E nëse ky është raporti, marrëdhënia dhe trajtimi i kampionëve që duhej të konsideroheshin “pasuri kombëtare” dhe modele për tu promovuar e ndjekur nga të gjithë të rinjtë, imagjinoni se si mund të jetë ai për sportistët e tjerë të ekipeve zinxhirë, deri tek ekipet e fëmijëve.

Shqiptarët janë ende të varfër, ministria që mbulon sportet mund të jetë akoma me buxhet të varfër, federata e Peshëngritjes dhe të gjitha federatat e tjera me përjashtim të asaj të futbollit, mund të jenë vërtetë të varfëra, por Shqipëria as ka qenë, as nuk është e as nuk ka për të qenë ndonjëherë aq e varfër, sa mos i sigurojë ambasadorëve të vet më të mirë në botë, një flamur, një fizioterapist dhe një ambjent të denjë për stërvitje.

Ne i kemi këta kampionë të mëdhenj dhe nuk dijmë që ti mbajmë e ti trajtojmë. Ndërsa të tjerët nuk i kanë dhe “i shpikin” duke na i marë ne. E më pas jemi po ne që na vjen keq që disa prej tyre shkojnë e përfaqësojnë Greqinë në peshëngritje, Bullgarinë në mundje, Gjermaninë në boks e kick box, e vende të tjera në xhudo, hokjej në akull, volejboll, atletikë, etj. Pa lënë mënjanë këtu dhjetra futbollistët elitarë shqiptarë që janë të shpërndarë sot në plot 11 përfaqësuese futbolli në Europë.

Pavarësisht se edhe atje ata përfaqësojnë shqiptarinë, pavarësisht se dikush thotë jam grek e ne të gjithë i themi je tradhëtar, imagjinoni vetëm për një moment sikur të gjithë këto talente, këta profesionistë, këta kampionë të shpërndarë kudo nëpër botë, të përfaqësonin njëkohëisht të gjithë bashkë vetëm Shqipërinë?

Kur sheh atë flamur të dhimbshëm në krahët e Romela Begajt në momentin e marjes së medaljes së artë të kampiones së Botës, atëherë edhe kthjellohesh pak. E me gjithë dhimbjen që ndjen, ndoshta fillon dhe ngre shumë pyetje, mes të cilëve ndoshta edhe një të formuluar kështu: Më mirë ti gëzohemi “OKB”-së shqiptare që na përfaqëson kudo nëpër botë, apo vetëm një kampioneje të madhe të Shqipërisë sot në Botë?! (Alpenews.al)

7 komente në “Për Romela Begajn dhe flamurin e turpit tonë në SHBA!”

  1. 123 says:

    “…Kur sheh ate flamur te dhimbshem ne krahet e Romala Begajt……”
    Perse nuk e shkrove ndryshe?
    Flamuri yne nuk eshte i dhimbshem !!!!
    Ate e lartesoi akoma me shume kjo SHQIPONJE SHQIPERIE!
    RESPEKTE!!!!

  2. Tarrasi says:

    Natyrisht o Alfred qe nuk ka leke per Kombetaren, se ato i ke marre ti se bashku me nje hordhi te tere me “intelektuale” qe vetem grabisin.

  3. Nard Gallata says:

    Kemi gazetaret me te çuditshem,po i themi gazetare kesaj here.Jane njisha me bo hartime,sikur si ze gjumi naten,ne kete rast pse flamuri ishte i vogel,stampuar ne Kine, e vari trapin.Mendoni pozitiv o trapa,mos beni zhurme kot.

  4. korçari says:

    Z.Peza mund te kontriboni dhe ju per te rinovuar flamuret shqiptare pasi u bete pronar i bankes brenda dites(nga kursimet nga rroga)…

  5. To be or not to be says:

    Une nuk jam as gazetare as kritike por them me dinjitet se kam nje formim qe mund te shpreh mendimin tim konform pikpamjes se shume njerezve te cilet si une kane arritur ne jete me forcat e tyre dhe ne kete rast dhe dy sportistet tane.
    Per cfare arsye duhet te hedhim shikimin se si ishte flamuri i stampuar kur ne ato momente suksesi i tyre ishte deri tani gati i paperseritshem per Shqiperine. Duhet te vleresojme faktin qe keta sportist sterviten me kushte jo optimale si ata te vendeve te tjera dhe arriten nje rezultat qe e lakmon cdo sportist te pakten nje here ne jete. Mendoj qe ata jane vetem per tu lavderuar per kete fitore dhe ska vend per komente te tjera, te kota, pa vend dhe kuptim bosh!!!!!!! shkrimin tim e gjeni ketu http://spiderinformazione.blogspot.de/2017/12/per-romela-begaj-dhe-erkand-qerimaj.html

  6. aljosha says:

    Or trap to be not to beeeee!
    Lexoje edhe nje here shkrimin,or trap qe ta kuptosh mire!
    Rezultatet e Romeles nuk i uli njeri,por ketu gazetari akuzon shtetin,ministrine e Sporteve dhe sidomos mafiozin qe eshte ne krye te Federates se Peshengritjes,LSI-stin ish doganier qe as emrin nuk dua t’ia permend!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje