Ish-kryeministri italian Romano Prodi, ka apeluar ndaj vendeve europiane duke thënë se ato duhet të ndihmojnë vendet që janë në proces integrimi për të bërë hapa përpara.
Ai ka vlerësuar rrugën e Shqipërisë drejt procesit të integrimit në Bashkimin Europian ku shtoi se sa herë që vjen në Shqipëri sheh ndryshime pozitive.
Në konferencën “Roli i partnerëve në tranzicionin e Shqipërisë”, ish-kryeministri italian u shpreh besimplotë mbi integrimin e Shqipërisë.
“Shqipëria po ecën në rrugën e integrimit. Sa herë vij në Shqipëri shoh ndryshime. Ne duhet të ndihmojmë me hapat e tjerë të ecim me këtë proces. Ne duhet të jemi optimistë për të ardhmen, pasi kohët më të vështira kanë mbaruar. Ishte vërtet unike në botë të ishe e izoluar në Europë dhe e shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Lidhjet e vetme ishin me Kinën”, u shpreh ish-kryeministri Prodi.(TemA)