Gjatë qëndrimit të tij si trajner i Vllaznisë Armando Cungu si një prej shqetësimeve kryesore ka patur kërcënimet apo presionet që i vinin në telefonin e tij. Shpesh herë është përballur me situata të tilla të vështira. Pa kaluar shumë kohë në krye të pankinës shkodrane e njëta gjë i ndodh edhe pasuesit të Cungut.
Trajneri i kuqebluve Ernest Gjoka sipas burimeve ka marrë kërcënim përpara stërvitjes së fundit në prag të ndeshjes Vllaznia-Kamza. Në këtë mënyrë mesa duket situata ka qenë serioze. As në vitin 1997 policia nuk ka patur nevojë që të qëndrojë gjatë një stërvitjeje të ekipit të Vllaznisë ndërsa sot pas 20 viteve nga ajo kohë nevojitet një gjë e tillë.
Nga sa mësohet një furgon policie i forcave Shqiponja kanë shoqëruar Vllazninë në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe më pas kanë qëndruar gjatë stërvitjes për 1 orë e 30 minuta. Nga aty policia është zhvendosur tek stadiumi “Loro Boriçi” ku Vllaznia ka bërë nisjen drejt Barbullushit ku ndodhet e grumbuluar deri nesër ku do ketë ndeshjen me Kamzën. Vllaznia është shoqëruar deri në Barbullush dhe pasi ekipi është akomoduar efektivët janë larguar.
Tashmë në vend që ekipi të mendojë për ndeshjen e radhës me Kamzën, shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit shkodran, duhet menduar edhe për presionet apo kërcënimet që shkojnë në adresë të trajnerit. E gjithë ngjarja është tentuar që të mbahet e fshehtë për të mos krijuar kaos në opinion.
Është e paqartë se nga ka ardhur ky kërcënim për trajnerin Gjoka dhe se cilat janë arsyet por ajo që është e sigurtë policia është dashur që ta shoqërojë kudo ekipin për shkak të rrezikut që i kanosej teknikut Gjoka. Vllaznia nuk ka një president mbi krye ndërsa drejtuesit aktual të Vllaznisë dhe kryebashkiakja Voltana Ademi që ka rolin e presidentes janë të pafuqishëm për të mbrojtur dhe siguruar që trajneri i Vllaznisë të mos cënohet në punën e tij dhe ta ushtrojë i qetë profesionin. Kjo që ka ndodhur është një ngjarje e shëmtuar dhe klubi Vllaznia urgjentisht duhet t’i dalë për zot trajnerit, kushdo qoftë ai dhe të dënojë publikisht këtë ngjarje e jo të mjaftohet duke lajmëruar policinë./ShkodraNews