Teuta-Kukësi/ Magani: Do flas me presidentin për të ardhmen; Milinkoviç: Fitore e merituar

17 Dhjetor 2017, 18:26Sport TEMA

Trajneri i skuadrës së Teutës, Gugash Magani është shfaqur shumë i nervozuar në intervistën pas ndeshjes për “RTSH”. Ai kritikoi disa nga titullarët e skuadrës së tij, të cilët sipas tij nuk e kanë justifikuar besimin e tij, ndërkohë që ka konfirmuar se është i gatshëm që të flasë sërish me presidentin Hasanbelliu.

“Mendoj se është sëmundje e pariparueshme, që pësojmë gol pasi shënojmë të parët. Për mendimin tim penalltia e Kukësit nuk ishte. Shyqyr zotit që mbaron kampionati që të shohim se çfarë mund të bëjmë.

Ne kemi probleme me sulmuesit, por problemi qëndron në menaxhimin e rezultatit. Kemi shumë probleme në mbrojtje, sepse pësojmë gola sapo shënojmë. Ka lojtarë që kanë bërë shumë gabime, edhe pse kam 2-3 vjet që u jap besim. Edhe besimi ka kufi. Disa lojtarë nuk kanë besim te aftësitë e tyre.

Merkato? Do të kërkojmë që të përforcohemi me dy lojtarë në mbrojtje, dhe me një sulmuese. Ne nuk kemi besim se mund t’i mundim rivalët. Do të ndërhyjmë që të marrim lojtarë që të marrin në dorë skuadrën në mbrojtje.

Unë nuk tërhiqem nga asnjë moment për pozicionin tim, teksa do të ulem që të flas me presidentin për të folur për situatën”, u shpreh Magani.

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, mendon se skuadra e tij e ka merituar plotësisht fitoren e sotme edhe pse është luajtur në kushte ekstreme. Në fjalët për TVSH ai tregoi edhe objektivat e merkatos, si dhe çfarë kishte biseduar me Shametin pas sfidës.

Për fitoren e sotme

“Kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë në një terren shumë të rënduar. Lojtarët e mi treguan se mund të luajnë një futboll të bukur pavarësisht një terreni të rënduar dhe një skuadre të mirë si Teuta. Urimet u shkojnë lojtarëve, edhe pse në fund e mbyllem me 10, në fund dolëm fitimtarë. E kam thënë që duhet të fitojmë 3-4 ndeshje radhazim të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë e të jemi brenda objektivave”.

Për paraqitjen e skuadrës

“Nuk mund të kërkoj më shumë në terren të tillë, i përshëndes të dy ekipet se luajtën në një terren mjaft të rënduar që ndikoi futbollin”.

Çfarë ndryshoi pas Lushnjës

“Siç e thashë pas Lushnjës, ishte turp për ne ajo humbje, një herë në 5 vjet ndodh. Unë e thashë edhe pas Lushnjës, nuk thashë që lojtarët nuk u munduan, por nuk ia dolën. Sot ishte një impenjim më i madh”.

Për kartonin e kuq të Shametit

“Ju e njihni më shumë se ne Shametin, ai luan 1000%, fola pas ndeshjes me të, më tha që nuk bëri faull. Nuk e pashë videon, por edhe me 10 lojtarë fituam dhe shkuam të dytët dhe mbajtëm distancën nga Korça”.

Për mungesën e Krkotiç

“Nëse terreni do të ishte më i mirë, do e hidhja që në fillim në lojë. Të mos harrojmë që ka dy javë i dëmtuar, nuk është robot më bateri. Me këtë terren Krkotiç nuk do luajë”.

Për merkaton e janarit

“Ne kemi lojtarë të mirë, edhe pse disa mund të mos jenë në formë maksimale. Ne në merkato do ndërhyjmë me 2 deri në 3 elementë, por duhet të jemi të kujdesshëm se ata duhet të bëjnë diferencën. Pastaj janari është i vështirë se nuk gjen dot lehtë lojtarë të lirë dhe të mirë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje