Manastirliu ngushëllon familjet e Sallakut dhe Runës. “Ç’më shkruajti Profesor Sallaku pak ditë para se të ndahej nga jeta”

28 Dhjetor 2017, 18:07Sociale TEMA
Manastirliu ngushëllon familjet e Sallakut dhe Runës.

Ditën e sotme mjekësia shqiptare ka humbur dy prej figurave të shquara të saj.

Mjeku i mirënjohur i Spitalit Ushtarak, ortopedi Arben Runa ka ndërruar jetë, pasi ka luftuar prej vitesh me sëmundjen. Pas tij, një tjetër lajm i hidhur ka pasuar kur u bë e ditur edhe ndarja nga jeta e  Agim Sallakut, profesorit të nderuar  dhe shef i shërbimit të Onkologjikut në QSUT.

Mësohet se Sallaku ka humbur jetën si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Për humbjen e këtyre dy figurave të shquara ka reaguar Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manasatirliu.

Përmes një postimi ne facebook Manastirliu shprehet se dita e  sotme ishte një ditë e dhimbshme për Mjekësinë shqiptare.

Ndër të tjera Minstrja Manastirliu shprehet se:

“…mjekësia shqiptare dhe shoqëria jonë ka humbur dy personalitete, mjekë të pazëvendësueshem, puna e të cilëve, jam e sigurt do të çohet përpara nga kolegët dhe studentët e tyre, që me aq pasion i kanë mbështetur dhe përgatitur. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të Profesor Sallakut dhe Doktor Runës dhe jam pranë tyre në këto momente të vështira të humbjes së njeriut të dashur.

Statusi i plotë

E sotmja është një ditë e dhimbshme për Mjekësinë shqiptare, për të gjithë ne!
Fatkeqësisht, në ditët e tij të fundit, viti që po mbyllet mori prej nesh, dy mjekë të shkëlqyer, profesionistë të jashtëzakonshëm, Profesor Agim Sallakun, Drejtuesin e Shërbimit të Onkologjisë shqiptare dhe Doktor Arben Runën, Kirurg Traumatolog, me një eksperiencë shumëvjeçare, pranë Spitalit Universitar të Traumës.

Lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta, të dy personaliteteve të mjekësisë shqiptare, Profesor Sallakut dhe Doktor Runës, është fort i hidhur.

Me profesor Sallakun më mbetet kujtimi i një bashkëpunimi të shkëlqyer, që pata gjatë katër viteve që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në 19 nëntor mora prej tij, mesazhin – që fatkeqësisht do të ishte edhe i fundit – për projektin e fuqizimit të radioterapisë në Spitalin Onkologjik. Më shkruante: “Filloi instalimi i akseleratorit të dytë. Jam i lumtur!”.

Edhe pse të dy mjekët e nderuar fituan beteja të panumërta me sëmundjet për pacientët e tyre, fatkeqësisht nuk mundën të fitojnë të fundit, betejën e tyre.
Sot familjet kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa mjekësia shqiptare dhe shoqëria jonë ka humbur dy personalitete, mjekë të pazëvendësueshem, puna e të cilëve, jam e sigurt do të çohet përpara nga kolegët dhe studentët e tyre, që me aq pasion i kanë mbështetur dhe përgatitur.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të Profesor Sallakut dhe Doktor Runës  dhe jam pranë tyre në këto momente të vështira të humbjes së njeriut të dashur. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje