Kryetari i Grupit Parlamentarë të partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra në vigjilje të festave të fundvitit i kanë dorëzuar çelsat e shtëpisë një familjeje në fshatin Dorëz të Librazhdit, e cila ardhjen e vitit të ri do ta festojë në shtëpinë e re.
Familja e Lulzim Doskut, në fshatin Dorëz, bashkë me tre fëmijët dhe bashkëshorten jetonin në gjendje të mjerueshme, në një banesë e cila ishte tërësisht e shkatërruar.
Balla u shpreh se në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe banorë të vetë fshatit, u bë e mundur që kësaj familjeje t’i ndërtohet një shtëpi e re me kushte normale jetese.
“Falenderoj plot miq nga Maqedonia, nga Struga, të cilët mundësuan një pjesë të investimit; pjesa tjetër u mundësua nga shoqata këtu në vend e sipërmarrës, por edhe njerëz të thjeshtë e të zakonshëm të cilët u sensibilizuan nga pamjet që panë përmes TV.
Jemi në fund të vitit, ku dimri ka ardhur po aq i furishëm sa edhe vjet, por kjo familje do t’i gëzohet shtëpisë së re me kushte normale jetese.
Unë jam shumë i gëzuar që tre fëmijët e kësaj familjeje janë përfitues të një banese, që u mundëson një jetë normale.
Vetë familjarët, e sidomos fëmijët u shprehën të emocionuar e të lumtur që më në fund do të jetojnë në një shtëpi të re e normale; nuk do të kenë më frikë nga dimri dhe i ftohti”, – tha Balla.