Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka uruar sot të gjithë Forcat e Armatosura.
Me anë të një videomesazhi shumë domethënës, Xhaçka në emër të qeverisë falenderon FA për punën dhe sakrificat për t’i shërbyer vendit.
Më tej, ministrja në mesazhin e saj të fundvitit shprehet se FA janë frymëzim për të gjithë.“Kudo ku jeni, në sherbim të Atdheut, na frymëzoni të gjithëve me përkushtimin dhe atdhedashurinë”, vijon ajo.
Më poshtë mesazhi i plotë i ministers Xhaçka:
“Është nder dhe privilegj i madh të punoj me ju, njerëz të jashtëzakonshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
E meqënëse jemi në këtë atmosferë festash të fundvitit, dua t’ju dërgoj këtë mesazh personal, për t’ju falenderuar në emër të qeverisë, për gjithçka keni bërë, si dhe t’ju them se, sa shumë i vlerësojmë gjithë sakrificat që ju dhe familjet tuaja bëni.
Keni fikur zjarre, keni përballuar përmbytje, keni ngritur ura e keni shpëtuar fëmijë. Keni projektuar siguri përtej kufijve të vendit tonë.
Keni punuar në heshtje për një vit të tërë, me vetëmohimin e ushtarakut dhe sakrificën e shqiptarit. Kudo ku jeni, në sherbim të Atdheut, na frymëzoni të gjithëve me përkushtimin dhe atdhedashurinë.
Ndaj, nga zemra, ju uroj një vit të paqtë, të mbarë dhe të begatë!”