Jepini politikës fantazi! Mjaft më me mediokritetin e tregtarëve...  

30 Dhjetor 2017, 10:44Blog TEMA
Jepini politikës fantazi! Mjaft më me mediokritetin e

Kristo Çakuli.

 

Në vitin 1935 Davidson Rocffeler deklaroi në “Washington Post” se… pas disa dekadash, globin do ta komandojnë privatët… duke nënkuptuar se vendimet për fatet e njerëzimit do merreshin prej një oligarkie financiare, super të pasur dhe të fuqishme. Përpara 15 vjetëve, Kolin Krauch përdori për herë të parë në dialogun publik nocionin “postdemokracy”. Sot, parashikimet dhe vlerësimet e Krauch në lidhje me dorëzimin total të pushtetit shtetëror në duart e shoqerive shumëkombëshe, tendencën për privatizimin e gjithçkaje dhe lënien nën kontroll publik vetëm të atyre shërbimeve, të cilat për arsye sociale të pashmangshme nuk munden që të jenë fitimprurëse, jo vetëm që u vërtetuan, por në mjaft raste, u tejkaluan në mënyrë cinike. Ashtu si edhe profecia e Rocffelerit, sigurisht.

E vërteta është se gjatë gjithë historisë së njerëzimit, pavarësisht nga epokat dhe sistemet e ndryshme të qeverisjes, faktorët e pushtetit ekonomik (të pasurit, të fuqishmit) kanë pasur përherë lidhje të forta, (të hapura  ose të kamufluara),  me pushtetin politik, domethënë, me shtetet, qeveritë dhe në përgjithësi, me institucionet e pavarura (i thënçin) publike. Por, sidoqoftë, me përjashtime të rralla, e ushtronin ndikimin apo pushtetin e tyre në prapaskenë dhe me takt. Kjo do të thotë se, kujdeseshin që të mos sfidojnë, të mos provokojnë hapur ndjenjat publike, të mos shkaktojnë revoltimin e verbër dhe të pakontrolluar të turmave. Publikisht, jepnin përshtypjen se e pranonin superioritetin e politikës mbi ekonominë. Tipikisht, respektonin rolin hegjemonist të shtetit në një shoqeri  të organizuar…

Nocioni  shoqeror i “privatit” lindi për herë të parë në Greqinë e Lashtë. Quhej “idiotis” dhe është fjalë polisemike. Sipas etimologjisë, fjala nënkuptonte njeriun e shkëputur nga shoqeria, personin që shikonte vetëm interesat e tij, individin që nuk interesohej për problemet e përbashkëta… Idiotis ishte sinonimi i interesaxhiut, i individualistit, i çifutit, i mizantropit… Athinasit e vjetër e konsideronin idiotis-in mediokër, të padobishëm, parazit. E shihnin pothuajse si…  të zgjebosur. Nocioni përmbante edhe kuptim fyes. Idiotis ishte njeriu me diateza të dyshimta apo negative, me nivel shpirtëror të ulët, me intelekt të cunguar. Pikërisht, me këtë kuptim të fundit (të intelektit të cunguar), fjala “idiotis” u huazua fillimisht nga Anglishtja dhe më pas nga Shqipja e sotme. Idioti nuk ka sinonimi të plotë me budallanë. Është injoranti, debili, merhumi, kokëboshi, mendjelehti…

Por le të vimë sërishmi në epokën tonë. Angazhimi i politikës për t’i vënë fre sistemit anarkik dhe të paskrupull financiar të kapitalizmit të sotëm “kazino”, në kohën kur shpërtheu kriza në fund të dekadës së kaluar, u tregua në praktikë një flluskë sapuni. Politika dhe politikanët u mposhtën totalisht, kapitulluan pa kushte përpara privatëve. Teknokratët-nëpunës të privatëve zëvendësuan politikanët. Intelekti  i la vendin mediokritetit. Filozofë tashmë janë financierët, shkencëtarë quhen tregtarët e zotë, art konsiderohet vetëm produkti shpirtëror që shitet, niveli i intelektit njerëzor vlerësohet ekskluzivisht nga… Bursa, liria e mendimit përkufizohet rreptësisht nga ligjet e tregut të lirë. Fantazia dhe romantizmi konsiderohen demode, madje në mjaft raste, si “kusure” psikologjike të prapambetura dhe të dëmshme.  Tashmë, siç thotë edhe një proverb arab… Mençuria e të varfërit nuk peshon në kandarin e të pasurit…

Si rezultat i këtij degjenerimi të vlerave njerëzore, është krijuar një situatë surealiste. Në mjaft vende të botës biznesmenët kanë marrë përsipër që të ushtrojnë vetë politikën. Berluskoni dhe Trump janë ndër rastet më karakteristike. Në shumë vende të tjera, politikanët ose janë biznesmenë të kamufluar, ose veshin mantelin e menaxherit tëaftë dhe të suksesshëm. Parimet sociale të “solidaritetit”, “humanizmit”, “të së mirës së përbashkët”, “të interesit të përgjithshëm” janë zhdukur dhe vendin e tyre e kanë zënë ligjet e xhunglës për mbijetesën. Thënia e Tom Akinatit “Të pasurit dhe të fuqishmit kanë gjithmonë të drejtë”, si edhe dogma kryesore politike e Thaçerit “There is not alternative” (nuk ka zgjidhje tjetër) po kërcënojnë krejt planetin. Me sa duket, diçka dinte filozofi i famshëm Sokrati për rrezikshmërinë e privatëve, prandaj edhe këshillonte arhondët e Athinës së lashtë… Jepuni privatëve liri të plotë në prodhim dhe në tregëti, por kurrë poste publike dhe pushtet politik…

Tashmë, biznesmenët shohin shtetin si ndërmarrje, kurse qytetarët si klientë. Fitimi është Zoti i Madh dhe i Vërtetë i epokës sonë. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po reduktohen në nivele të rrezikshme. Fitimet e kapitalit privat fetishizohen, kurse humbjet e tij shoqerizohen. Politika po shndërrohet përherë e më shumë në marketing. Të gjitha private… Të gjitha te privatët… Me sa duket, po ecim me shpejtësi  drejt… Feudalizmit! Pasi vetëm në Feudalizëm të gjitha ishin private, dhe të gjitha pronë e feudalit… toka, ujrat, pyjet, prodhimi, ushtria, doganat, tatimet, shkenca, artet… Sot, të papunët, të varfërit, të dobëtit, të paaftët, të pafatët konsiderohen prej neoliberalëve thaçeristë si barë e tepërt, të panevojshëm, të dëmshëm për shoqerinë, të rrezikshëm për sistemin. Kurse pensionistët dhe invalidët si tepër të kushtueshëm për tregun. Teoritë atyre antisociale pak distancë i ndan nga Maltusi dhe nazizmi.

Kjo është situata e sotme. Jetojmë në epokën e mbisundimit absolut të privatëve. Megjithatë, besoj se është një iluzion i rremë. Sepse dikur, dikush do të rezistojë kundër këtij absolutizmi barbar të imperiumit financiar të epokës sonë. Dhe kjo nuk është hipotezë, por aksiomë. Nuk e di nëse kjo do të realizohet në brezin tonë, apo në një epokë tjetër. Bota e sotme është tepër e koklavitur që të bëjë dikush parashikime të sakta. Por ndërkaq, një gjë është e sigurt. Se dikur, një brez më larpamës, më guximtar dhe më i çliruar nga ne do të revoltohet, duke pasur si busull parrullën kryesore të  studentëve francezë në majin e vitit 1968… Jepini politikës fantazi! Mjaft më me mediokritetin e tregtarëve…

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje