Stavri Nica ka veshur sot tutat blu dhe pas prezantimit para skuadrës durrsake, ka nisur menjëherë punën për të ndryshuar situatën te Teuta, që aktualisht rrezikon seriozisht rënien një kategori më poshtë.
Nica, i cili këtë sezon e nisi në stolin e Laçit dhe më pas vazhdoi punën te Bylisi, do të zërë vendin e Maganit te skuadra durrsake.
Nga Teuta ka pasur jo pak largime dhe tashmë detyra e vështirë është për të sjellë elementët që duhen për një skuadër sa më kompetitive. Janë larguar deri tani afrikanët Abe dhe Osamene, vlonjatët Shehaj dhe Beqaj, kapiteni Lena e ndonjë tjetër.
Teuta do të stërvitet në Turqi për disa ditë dhe e gjithë vëmendja është te merkatoja. Po ndiqen disa lojtarë, ku spikat sulmuesi nga Mali, Cheick Tidiane Tambadou. Madje, për këtë të fundi klubi ka bërë me dije se mund të quhet pjesë e Teutës dhe së shpejti do të vijë në Durrës.