1 qershor 1978: bota po pret ndeshjen inauguruese të botërorit argjentinas, ku përballë janë Gjermania Perëndimore dhe Polonia. Gjatë ceremonisë hapëse, Henry Kissinger ndërhyn, duke thënë: “ky vend ka një të ardhme të madhe, në të gjitha nivelet”. João Havelange, asokohe presidenti i FIFA-s, merr guximin të deklarojë: “Më në fund bota do të jetë në gjendje të shohë fytyrën e vërtetë të Argjentinës”.
Diktatori Videla flet për harmoni dhe miqësi, duke premtuar një botëror me simbol paqen dhe duke i kërkuar të gjithë argjentinasve të qëndrojnë të bashkuar rreth flamurit të tyre. Ndërkohë, pagat janë të ngrira, inflacioni është i paqëndrueshëm, sindikatat nuk ekzistojnë më, shtypi është nën kontrollin e regjimit, njerëzit rrëmbehen, torturohen dhe vriten. Leopoldo Luque, një sulmues argjentinas i asaj kohë, do të deklaronte vite më vonë “pothuajse çdo ditë njerëzit vraponin pranë autobusit tonë, duke u lutur për ne, me rruzare në duart e tyre. Mund të shihej në sytë e tyre se sa e rëndësishme ishte për ta. Fitimi i kupës ishte detyra jonë, për njerëzit tanë, për t’i bërë ata të harrojnë vuajtjet. Si nuk mund ta fitonim kupën për këta njerëz?”
USHTARAKËT NË PUSHTET
Në qershor të vitit 1973, Juan Domingo Perón u kthye triumfalisht nga mërgimi falë Hektor Cámpores, presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike tre muaj më parë.
Për ta pritur në aeroportin Ezeiza në Buenos Aires ishin mbledhur tre milionë njerëz, duke përfshirë Montoneros – revolucionarët socialistë që mbështesnin aleancën antikomuniste argjentinase, të kryesuar nga Josè Lopez Rega, ish-Sekretari i Perón. Antikomunistët në atë rast vranë trembëdhjetë Montoneros, megjithëse ndoshta është një shifër e përafërt, pasi në fakt një hetim mbi incidentin nuk u hap kurrë.
Pas të ashtuquajturës masakër të Ezeizës, ndarja midis dy fraksioneve u bë e pariparueshme dhe pas një muaji, Cámpora dha dorëheqjen duke hapur rrugën për rizgjedhjen e Peron, mandati i të cilit zgjati vetëm një vit, sepse ai vdiq nga një atak në zemër në korrik 1974.
Ai u pasua nga gruaja e tij e tretë Isabel, e cila nuk kishte përvojë politike. Në fakt, më 24 mars 1976, një grusht shteti ushtarak përmbysi qeverinë duke i dhënë fund pushtetit së ish-kërcimtares të një klubi nate të Panamasë, e cila u martua me një kryetar shteti që trashëgoi pushtetin.
U instalua një diktaturë udhëhequr nga Videla, e cila inicioi “Procesin Kombëtar të Riorganizimit”, prapa të cilit fshihej një përndjekje brutale e disidentëve të dyshuar, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën përgjithmonë.
Bëhet fjalë për burgosurit e famshëm “desparecidos”, të rrëmbyer nga ushtria dhe ndonjëherë të torturuar, ndonjëherë të hedhur të gjallë nga aeroplanët në të ashtuquajturat fluturime të vdekjes, ndonjëherë thjesht të vrarë. Një “luftë e pisët” e mbështetur edhe nga Kissinger; sekretari amerikan i shtetit i cili takoi udhëheqësit e regjimit tre muaj pas grushtit të shtetit, kur rreth një mijë vetë tashmë ishin zhdukur. Zyrtarisht “desaparecidos” arrijnë në nëntë mijë, edhe pse në realitet ata mendohen të jenë mbi tridhjetë mijë.
ORGANIZIMI I BOTËRORIT
Megjithëse disa vende hodhën dyshime në lidhje me kandidaturën argjentinase, në fakt Videla trashëgoi nga Isabel Peron edhe nderin dhe barrën e organizimit të Kupës së Botës të 1978. Regjimi e pa ngjarjen si një “mundësi e shkëlqyeshme për t’i dhënë botës një imazh ndryshe të vendit”: Omar Actis, kreu i komitetit organizativ të botërorit, lidhi kontratë me Burson & Marsteller, një kompani marketingu amerikane, për të reklamuar “rezultatet” e qeverisë së re dhe për të fshehur zhdukjet e disidentëve. Por junta në pushtet nuk u mjaftua vetëm me kaq.
Disa muaj para fillimit të botërorit, vunë në veprim operacionin “El Barrido”, duke shkatërruar lagjet me nam të keq të Buenos Aires, duke dëbuar njerëzit që jetonin atje në krahinën e Catamarca, duke ngritur një mur plot me shtëpi të pikturuara për të mbuluar kasollet: të gjitha për të fshehur varfërinë dhe degradimin.
Ndërkohë, përndjekjet ndaj nënave që kërkonin bijtë e humbur, u intensifikuan me një mesatare prej dyqind arrestimesh në ditë, për t’i parandaluar që të bisedonin me gazetarët e huaj që kishin ardhur për Botërorin.
Në fakt, mediat më së shumti shmangnin lajmet për dhunën e ushtrisë, dhe thjesht qëndronin në anën sportive. Vetëm një stacion televiziv holandez, pak para fillimit të botërorit, tregoi fytyrat e kundërshtarëve të vërtetë të regjimit, atë të nënave të “desaparecidos” që çdo të enjte, që nga 30 prilli 1977 e tutje, përkundër kërcënimeve të përsëritura, mblidheshin në Plaza de Mayo të Buenos Aires, duke ecur në heshtje, dhe duke mbajtur shami të bardha, simbolin e paqes.
Megjithatë, makineria propagandistike, e favorizuar nga indiferenca e lartpërmendur e shtypit botëror, duhet të kulmojë me fitoren e kombëtares argjentinase, e cila kishte për detyrë të fitonte, pas katastrofave të dy botërorëve të fundit: argjentinasit nuk ishin kualifikuar për Meksikë 1970 dhe ishin eliminuar në raundin e parë në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1974.
Një revolucion ishte i nevojshëm: për këtë qëllim u punësua si trajner César Luis “el flaco” Menotti, pavarësisht nga idetë e tij radikale që binin ndesh me ata të Videlës dhe pasuesve të tij. Osvaldo Ardiles, mesfushori i kombëtares, deklaroi më pas se “ishte e qartë se Menotti nuk mendonte si junta, dhe padyshim shumë herë ata mendonin ta zëvendësonin atë. Por kjo u konsiderua si shansi i vetëm për të fituar Kupën e Botës, kështu që ata e toleruan atë”. Menotti kështu u bë, pavarësisht nga mosdëshira e tij, një instrument tjetër i regjimit.
MARMALATA PERUANE
Në fazën e grupit, Argjentina u përball me Hungarinë, Francën dhe Italinë. U imponua ndaj dy të parëve, madje me pak vështirësi, por u mposht nga italianët të udhëhequr nga Bearzot, me një gol, nga Bettega në minutën e 67-të. Më pas, përfunduan në vendin e dytë pas Italisë, kështu që ata u përballën me Brazilin në gjysmëfinale. Kundër “seleçaos” përfundoi 0-0, dhe argjentinasit për të arritur në finale u ishin të detyruar të fitonin me tre gola kundër Perusë, në raundin e fundit të grupit.
Rezultati ishte një nga ndeshjet më të diskutuara në historinë e futbollit, e ashtuquajtura “marmelata peruane”, në të cilën u ngritën dyshimet sapo u lexuan formacionet. Në fakt, në portën e Perusë u konfirmua surpriza “el loco” Quiroga: ai jo vetëm që ishte një shtetas argjentinas, por gjithashtu ishte me origjinë nga Rosario (ku luhej ndeshja) dhe u rrit në Rosario Central. Pas disa vitesh ai do ta pranonte mashtrimin që ishte bërë.
Josè Velazquez, një nga futbollistët më të rëndësishëm peruan të kohës, më vonë foli për “episode të çuditshme” para takimit, duke përfshirë edhe një vizitë të Videlës (dhe Kissingerit të zakonshëm) në dhomat e zhveshjes, pas së cilës Quiroga u zgjodh për të “mbrojtur” portën.
Ka nga ata që shkruajnë se para ndeshjes, junta ushtarake dhuroi një milion ton grurë në Peru dhe u sigurua një kredi prej pesëdhjetë milionë dollarësh: prejardhja e këtyre parave do të ishte e dyshimtë. Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, sipas Gilberto Rodriguez de Orejuela, djali i një bosi të kolumbian të drogës, babai i tij dhe xhaxhai i tij Miguel u dhanë futbollistëve peruanë një sasi parash për të lejuar kundërshtarët të fitonin dhe për të mos lejuar në finale Brazilin. Megjithatë, kjo deklaratë duhet të merret me rezerva, sepse u përdor për të reklamuar librin e tij “Biri i lojtarit të shahut”.
Fakti është se ndeshja përfundoi 6-0 dhe organizatorët arritën në finale, ku i priste Holanda që disa ditë më parë kishin mundur Italinë. Tulipanët kishin ardhur në botëror pa lojtarin e tyre kryesor, Johan Cruijff. Mungesa e tij në Argjentinë 78’, bëri që të hidheshin shumë hipoteza: nga ajo e konfliktit të federatës me sponsorët, deri te versioni, që mungesa erdhi si një formë proteste ndaj diktaturës.
Ai vetë më pas rrëfeu se thjesht kishte patur frikë se mos rrëmbehej, pasi disa muaj para botërorit, disa kriminelë kishin hyrë në apartamentin e tij në Barcelonë dhe i kishin vënë armën në kokë, episod pas së cilit, ai dhe familja e tij shoqëroheshin vazhdimisht nga policia.
FINALJA
Ndeshja e fundit e këtij botërori të mallkuar u luajt në Monumentalin e kushtueshëm, nën sytë e tetëdhjetë mijë njerëzve. Menotti në dhomën e zhveshjeve u bëri thirrje popullit të tij të mos mendojë për autoritetet e pranishme, por për njerëzit e thjeshtë që mund të lumturoheshin nga fitorja e asaj ndeshje, në përputhje me parullën që shihej nëpër rrugët e Buenos Ajresit: “Njëzet e pesë milionë argjentinas do të luajnë Kupën e Botës”.
Në fakt, Argjentina fitoi 3-1 pas kohës shtesë me dopjetën e dytë nga Kempes, golashënuesi më i mirë, por pas ndeshjes, nuk u festua. Gara u drejtua nga italiani Sergio Gonella, arbitrimi i të cilit ishte shumë i diskutueshëm, aq sa i kërkuan të hiqte dorë nga arbitrimi pas kësaj ndeshje.
Për shembull, finalja filloi me vonesë, sepse Gonella, përkundër protestave të holandezëve, nuk donte të lejonte René Van de Kerkhof të luante për shkak të një fashoje në dorë, duke pretenduar se ishte e rrezikshme edhe pse e miratuar paraprakisht nga FIFA. Në përgjithësi, sidomos në pjesën e parë, veprimet e tulipanëve ndaloheshin në mënyrë të përsëritur nga “off-side” të shpikur dhe nga faulle inekzistente.
Sidoqoftë, e gjithë bota u përqendrua në Monumental, duke injoruar atë që ndodhte rreth tij. Ardiles tregon: “Ne ishim duke zhvilluar finalen në stadiumin e River Plate, dhe tre-katërqind metra më tutje ishte shkolla e mekanikës detare. Vetëm më vonë zbuluam se ishte qendra kryesore e torturës për marinën. Dhe mendoj, kur shënuam, të gjithë mund të na dëgjonin. Rojet ndoshta u thanë të burgosurve ‘ne po fitojmë’. Dhe pastaj mendoj, ata që ishin të burgosur si ndiheshin, të lumtur apo të trishtuar? Në njëfarë kuptimi ata ishin të lumtur për shkak se ishin argjentinas, dhe ne ishim duke fituar Kupën e Botës për herë të parë në historinë tonë. Por ata e dinin se fitorja do të thoshte se diktatura ushtarake do të zgjaste për një kohë të gjatë, dhe ata nuk do të liroheshin”.
Gjatë kampionatit botëror, në nëntëdhjetë minutat kur ekipi kombëtar luante, torturat u ndërprenë, ashtu si fluturimet e vdekjes, rrëmbimet dhe vrasjet.
Pas fishkëllimës të trefishtë, çdo gjë u kthye si më parë dhe populli argjentinas pësoi edhe tre vjet të tjera diktaturë brutale.(EDS)