Stephen Miller, një ndër këshilltarët kryesorë të presidentit Donald Trump, sulmoi ish-këshilltarin dhe krahun e djathtë të Donald Trump, Stephen Bannon, për komentet e tij të pasqyruara në librin “Zjarr dhe furi”.
Ai citohet në libër të ketë thënë se djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., dhëndri i presidentit, Jared Kushner, tashmë këshilltar kryesor në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ish-menaxheri i fushatës elektorale, Paul Manafort, ishin “tradhëtarë” dhe “jopatriotë” që u takuan në mes të fushatës elektorale të vitit 2016 me shtetas rusë që pretendonin se dispononin informacion inkriminues për sfidanten e zotit Trump, demokraten Hillary Clinton.
Duke folur në kanalin televiziv CNN, zoti Miller e përshkroi zotin Bannon si një “person të zemëruar dhe hakmarrës, komentet groteske të të cilit janë shumë të shkëputura nga realiteti”.
Zoti Miller tha se “të gjithë anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë janë plotësisht të zhgënjyer me komentet e tij” të reflektuara në këtë libër.
Zoti Miller tha se libri i autorit Wolff “është më tepër një vepër letrare e shkruar keq. Autori është një autor fundërrinë i një libri fundërrinë… Tradhtimi i presidentit në këtë libër është në kundërshtim me realitetin e njerëzve që punojnë me të”.
Por spikeri i kanalit CNN, Jake Tapper, e ndërpreu direkt intervistën me zotin Miller, duke e quajtur atë “një servil” të interesuar vetëm për të kënaqur “një shikues”, presidentin Trump.
Pak më vonë, presidenti Trump shkruajti në Twitter se “Jake Tapper i kanalit të lajmeve të rreme CNN u rrënua gjatë intervistës me Stephen Millerin.
“Shikojeni urrejtjen dhe padrejtësinë e këtij shërbëtori të CNN-it”, shkruajti Trump.
Dy zyrtarë të tjerë të lartë të administratës Trump, ambasadorja në OKB, Nikki Haley, si dhe drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, gjithashtu shprehën mbështetje gjatë emisioneve të fundjavës për punën e presidentin, vetëm një ditë pasi Presidenti Trump e përshkroi veten “një gjeni shumë të qëndrueshëm”.
Zoti Bannon nuk i ka mohuar fjalët e cituara në librin e zotit Wolff, por ai shprehu një lloj keqardhjeje për rolin e tij.
Ai i tha faqes së lajmeve në internet, “Axios”, se “Donald Trump Jr. është patriot dhe njeri i mirë.
“Ai ka mbrojtur papushim të jatin dhe axhendën që ka mundësuar kthesën që ka marrë vendi”.
Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, zoti Bannon u rikthye tek “Breitbart News”, një faqe interneti e të djathtës alternative me pikëpamje nacionaliste.
Ai u zotua se do të vazhdonte mbështetjen për presidentin Trump.
Zoti Bannon tha se “jam i palëkundur në mbështetjen për Presidentin dhe axhendën e tij, siç e kam dëshmuar çdo ditë gjatë transmetimeve kombëtare në radio, në faqet e Breitbard News, si dhe në fjalime në Tokyo, Hong Kong, Arizona dhe Alabama. Më vjen keq që reagova me vonesë ndaj raportimeve të pasakta për Don Jr., dhe shkëputjen e vëmendjes nga arritjet historike të Presidentit gjatë vitit të parë të presidencës së tij”.(TemA)
Sigurisht qe ky eshte lajm i rreme sic e thote edhe Trump. Miller vajti per interviste si perfaqesues i qeverise Trump dhe Tapper donte ta pyeste per akuza apo perralla. Me te drejte Miller i tha se si pefaqesues i qeverise ka ardhur per te treguar ne tv punen e qeverise dhe jo akuza pa baza me njerez me pak kretibilitet. C’fare duhet te bente? Bota perendimore bazohet ne nje parim kryesor qe cdo njeri eshte i pafajshem deri sa te vertetohet si fajtor. Kurse media liberale me CNN ne krye e quan Trump fajtor per cdo akuze dhe eshte detyra e Trump te vertetoje qe eshte i pafajshem. Me te vertete CNN eshte fabrike e lajmeve te rreme.