Kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste Agron Duka, ka hedhur dritë mbi raportet e forcës politike që drejton dhe të ashtëquajturit “front i ri opozitar”, ku tregon qëndrimin e tij mbi debatin e çelur mes aleatëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në një intervistë për gazetën “TemA”, Duka shprehet se ka marrëdhënie pozitive me “selinë blu” por ka edhe vizione që nuk janë të harmonizuara siç duhet. Në vëmendje ai sjell reformën zgjedhore të cilën e sheh përtej aksionit të ri politik.
Sa i përket përfshirjes së LSI-së në skemën e re të opozitës, lideri i PAA-së thotë se rolin e saj në tetë vitet e fundit qeverisje duhet ta gjykojnë qytetarët, duke shtuar se sot e rëndësishme është oponenca ndaj mazhorancës.
I pyetur lidhur me akuzat e artikuluara në media për një presion të mundshëm ndaj kryedemokratit Basha që t’i krijojë mundësinë për të hyrë në Parlament duke tërhequr një deputet të PD-së në Durrës, Duka i konsideron si spekulime gazetareske.
Ndërkohë, ai flet edhe për tezën e hedhur nga aktorë të ndryshëm mbi polin e tretë opozitar, ku argumenton se liderët e partive të vogla kërkojnë që të jenë faktor ndërlidhës, pasi sipas tij, përballja politike kundër mazhorancës aktuale kërkon një front shumë më të gjerë.
Intervistoi Andrea Danglli
Z. Duka, ditën e djeshme kryedemokrati Lulzim Basha njoftoi se ju keni konkretizuar një bashkëpunim të ri opozitar me Partinë Demokratike ku pjesë do jetë edhe aksioni i ri politik. Kjo do të thotë se jeni tërhequr nga teza për një pol të tretë politik?
Andrea, janë dy gjëra të ndryshme. Aksioni opozitar është kauza e përbashkët e të gjithë partive që nuk pajtohen me këtë mazhorancë. Kjo nuk bie ndesh me nismën e partive alternative, ku me anë të së cilës kërkojmë të mbajmë në qendër të agjendës politike “reformën zgjedhore”. Kodi aktual është jo vetëm ndëshkues ndaj zgjedhësve tanë, por edhe një nga arsyet kryesore të kësaj situate politike që po kalojmë.
Derisa administrimi i zgjedhjeve do të bëhet kryesisht nga dy parti, vota nuk ka për të qenë kurrë e sigurt, dhe mbi të gjitha do të kemi përherë kontestime të njërës apo tjetrës palë. Nëse nuk do të kemi një reformë që të lejojë votimin dhe numërimin elektronik apo një sistem mazhoritar të korrektuar atëherë gjykoj se nuk do të kemi kurrë stabilitet politik.
Shoh që vendosni theksin tek reforma zgjedhore. Çfarë na siguron ne se propozimi që sillni është më i mirë se ky që kemi aktualisht?
Unë mendoj se një kthim tek ndarja e mandateve për deputet si në zgjedhjet e 2005-ës do të ishte pozitive. Në vlerësimin tim ai ka qenë një sistem i mirë dhe i shkonte për shtat pikëpamjes historike. Nga një anë siguronte një qeverisje të qëndrueshme, dhe nga ana tjetër krijonte mundësitë që të kishte zëra përfaqësues në Parlamentin shqiptar. Imagjinoni, nëse ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme me këtë sistem zgjedhor, jam i sigurt se do të kemi ankesa për legjitimitetin e zgjedhjeve. Ky është një rreth vicioz që nuk do të gjejë zgjidhje derisa të vendosim t’ju japim qytetarëve një sistem votimi realisht demokratik. Për këtë arsye bashkëpunimi ynë me Bashën nuk bie ndesh me nismën tonë për reformimin e sistemit zgjedhor.
Cilat janë pakënaqësitë ndaj “selisë blu” që ju bën të shqyrtonit në dhjetor me të tjera parti idenë e një alternative të re opozitare ku këtu kam në vëmendje të ashtëquajturin “pol të tretë” që diskutohet nga aktorë të ndryshëm politik?
Sikurse thashë, reforma zgjedhore është prioritetit i bashkimit tonë si parti alternative. Marrëdhëniet me Bashën janë të mira, por gjithmonë në një front kaq të gjerë opozitar ka edhe vizione që duhen harmonizuar. Përballja ose ato që mund të jenë perceptuar si pakënaqësi, janë thjesht rezultati i një dialektike konstruktive që dëshmon se ndonëse kemi identitete të ndryshme, ajo që na bashkon janë qëllimet dhe vizionet e përbashkëta për të ardhmen.
Aludohet nga analistë të ndryshëm se teza për një pol të tretë është thjesht një shantazh ndaj Partisë Demokratike. Keni ndonjë koment për këtë?
Sikurse thoni edhe ju Andrea, ky është një aludim. Koordinimi që kemi ne si kryetarë të partive të vogla është mese normal. Përpos kësaj ne dëshirojmë të jemi një faktor unifikues të gjithë atyre forcave opozitare që për momentin nuk janë artikuluar. Jo detyrimisht janë pjesë e botës politike, por edhe të shoqërisë civile, biznesit dhe akademisë. Në opozitë nuk mund të kemi luksin e përjashtimit ose të përdorim strategji përçarëse pasi kundërshtari ynë është mazhoranca. Kërkojmë të jemi faktor ndërlidhës, sepse përballja politike kundër kësaj mazhorance kërkon një front shumë më të gjerë se PD, PAA etj.
Në media kanë qarkulluar disa lajme ku flitet se ju keni kërkuar nga Basha dorëheqjen e një prej deputetëve demokratë në listën e Durrësit që rrjedhimisht ju të bëheni pjesë e Parlamentit… Si do t’i përgjigjeni këtyre zërave?
Ky është një tjetër spekulim ose amendësim që ka për qëllim krijimin e një klime negative kundër opozitës. Sigurisht që zhgënjimi im për rezultatin e zgjedhjeve nuk duhet interpretuar si dëshirë për të ndryshuar rezultatin final. Pranova atë renditje në listën e Durrësit sepse i lejonte PAA-së që të përfaqësohej me dy kandidatë në Fier dhe Tiranë. Këto pozicione deri në maj konsideroheshin vende të sigurta. Zgjedhjet nuk shkuan sipas parashikimeve, por kjo tanimë është e shkuara. Unë jam në paqe me veten dhe krenar për provën e PAA-së ku punuan të gjithë strukturave tona. Unë në Parlament kam hyrë me forcat e mia dhe falë mbështetjes së qytetarëve që kanë besuar te unë. Nuk më duhet mandati i dikujt tjetri.
Si e shihni afrimin e LSI-së në frontin opozitar ku kujtojmë se ju protestuat në çadër para kryeministrisë edhe ndaj ministrave të saj dje në qeveri?
Rrugëtimin e LSI-së duhet ta gjykojnë qytetarët me votë pasi unë si politikan opozitar merrem me vlerësimin dhe oponencën ndaj mazhorancës aktuale. Sot jemi në një kontekst tjetër dhe vlerësohemi nga opozita që i bëjmë kësaj mazhorance. Mbi të gjitha vlerësohemi nëpërmjet alternativës që i ofrojmë qytetarëve. Personalisht gjykoj se në këtë moment duhet të përqendrohemi tek oponenca ndaj mazhorancës dhe keqqeverisjes së saj. Nuk kemi luksin të përjashtojmë askënd që ka vullnetin për të ndryshuar këtë situatë politike. Madje duhet të jemi edhe më të hapur. Mendoj se duhet të bashkëpunojmë me të gjithë ata faktorë që mund të pasurojnë zërin opozitar ku këtu flas për përfshirjen e shoqërisë civile, OJQ-ve, sindikatave, e shoqatave profesionale, e shoqatave të studentëve dhe e grupimeve të tjera aktive në vend.
Partia Agrare Ambjentaliste do të bëhet pjesë e protestave të paralajmëruara nga opozita? Cilat do të jenë kauzat tuaja?
Po, ne do të jemi pjesë e protestave. Sigurisht që arsyet për të protestuar janë të shumta, duke filluar nga mënyra sesi kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet, por mbi të gjitha ne do të protestojmë edhe për ato kauza që PAA mbron dhe përfaqëson. Këto 100 ditët e para treguan se jemi përballë një qeverie të paaftë për të prodhuar politika në sektorin e bujqësisë, agro-industrisë, sigurisë ushqimore dhe ambientit.
Duke vijuar në rrjedhën e përgjigjes suaj, shohim që shpesh artikuloni kritika ndaj bujqësisë. Nën optikën tuaj, ku çalon ky sektor?
Bujqësia është shtylla kurrizore e ekonomisë vendase. Në zonat rurale punon dhe jeton gati gjysma e qytetarëve shqiptarë dhe sot nuk ka ende një politikë të guximshme për të bërë ato reforma të domosdoshme për të nxjerrë këtë sektor nga kushtet mesjetare në të cilat dergjet. Ne duhet të bindemi se bujqësia është sektori kyç me anë të së cilit mund të ndryshohet ekonomia e vendit.
Nëse fuqizojmë bujqësinë ne do të ndezim motorët e ekonomisë, do të krijomë një rreth virtuoz për bujqësi, agrobiznes dhe turizëm të lakmueshëm. Por kjo ka nevojë për politika serioze që kjo mazhorancë nuk ka largpamësinë të zhvillojë. Për shembull, në krahasim me vendet e rajonit, ajo që shteti shqiptar i jep fermerit në subvencione, mund të konsiderohet lëmoshë në krahasim me 150 milionë euro që jep Maqedonia. Rruga e përshkruar deri në këtë moment nuk është e duhura dhe ne nuk mund të pranojmë këtë paaftësi kronike në këtë sektor jetik.
E ke treguar veten se sa i ZOTI je kur ke qene Minister i Bujqesise.Je Tamam Pjestar i Klanit te Zemunit.Ti ke sabotuar nje projekt madhor per mbjelljen e Panxharit te Sheqerit ne Fushen e Maliq-Korces dhe ngritjen e kater fabrikave te sheqerit.Ky projekt ka qene i mbeshtetur dhe nga BE ,qe ka qene shume e interesuar per kete produkt.Po kjo binte ndesh me Monopolistet e Importit te sheqerit ,(nga kallam Sheqeri).Jemi i vetmi vend ne Europe qe perdorim kete lloj sheqeri qe vendet e BE e kane nxjerre jashte Liste.Prandaj mos na trego perralla. Je njelloj si Legenet e tjere qe vetem kane mbushur torbat e tyre.Po prite Vetingun se dhe Ti pas Qafe e Ke .Legen Llamarine
Ky me duket nje koketul qe shkon nga fryn era. Njeri pa bosht, pa vizion, legen qe u shkon nga prapa pikerisht atyre njerezve qe nuk kane lene gje pa thene per te dhe familjen e tij. Shkurt nje zorraxhi, legen i vertete.