Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shfaqur mjaft entuziast në ceremoninë e inaugurimit të punimeve për ndërtimin e shtëpisë së re të Kombëtares. Ai ka falënderuar disa herë Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe bashkëpunimin që Qeveria ka pasur me FSHF-në. Në fjalën e tij Duka u shpreh:
“Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës në këtë ceremoni. Pas shumë vitesh e realizuam ëndrrën për të pasur një qendër të mirëfilltë të Kombëtares. Jo vetëm zyra, por edhe terrene për të realizuar politikat e zhvillimit të futbollit dhe sportit në përgjithësi.
Një projekt që ka edhe një ministadium me kapacitet 500 vende, i licencuar për aktivitetet e ekipeve të moshave dhe të futbollit të femrave. Një shtëpi e kompletuar. Një bashkëpunim me Qeverinë dhe Kryeministrin Rama, i cili e ka mbështetur këtë projekt. Toka është dhënë falas dhe ky është vazhdim i projekteve dhe bashkëpunimit të suksesshëm që FSHF-ja ka pasur me Qeverinë. Jemi në përfundim të stadumit “Arena Kombëtare”, që do të presë ekipin kombëtar dhe tifozët kuqezinj.
Të gjithë bashkë mund të bëjmë më shumë gjëra për futbollin dhe sportin, të kemi më shumë fëmijë që të luajnë futboll. Pas 18 muajsh uroj të jemi këtu të gjithë bashkë për inaugurumin dhe fillimin e aktivitetit”.