ARMO është më shumë se paratë në xhepat e Berishës dhe Ramës

25 Janar 2018, 16:45Blog TEMA

Nga Andi Bushati

Ajo që po ndodh me ARMO-n nuk është as thjeshtë një skemë grabitësish të lidhur me Berishën, as, aq më pak, një kopjim i praktikave të paraardhësve nga klientët e Edi Ramës. Avullimi i qindra miliona eurove të zhdukura, lënia e herëpasehershme e mbi një mijë punëtorëve pa punë, shmangia e vazhdueshme e detyrimeve nga tatimet dhe doganat, futja e bankave në kolaps, likuidimet në dëm të taksapaguesve tregojnë një problem më të thellë.

Ai përmblidhet vetëm në dy shifra.

Përpara se kjo kompani të privatizohej në vitin 2008 nga Rezart Taçi, ajo e mbyllte bilancin e saj me një fitim të derdhur në arkat e shtetit prej rreth 30 milionë eurosh. Pasi kaloi në duar të privatëve azerë, amerikanë dhe kientë të pushtetit të ri, ajo ka akumuluar plot 700 milionë euro borxhe (gati gjysmën e saj ndaj taksapaguesve të vendit).

Prandaj, përpara se të na shërbejë qoftë si shembull korruptiv i qeverisjes Berisha, qoftë si një zhvatje e paskrupullt e xhagajdurëve të Edi Ramës, ai duhet parë si një problem sistemik. Ai duhet të na shërbejë për të ngritur disa pyetje: A mund të quhet gjithnjë si zgjidhje privatizimi i pronave publike? A është futja e privatëve më shumë garanci për sukses dhe mirëqënie? A duhet shmangur me çdo çmim shteti? A duhet të vazhdojmë të besojmë me sy mbyllur tek teoritë neoliberale të një shteti që është në shërbim të të pasurve dhe vetëm në ndihmë të shtimit të shpejtë të parave të tyre?

Që prej rënies së komunizmit edhe Shqipëria u kaplua nga vala botërore e politikave ultraliberale që kishin filluar të aplikoheshin një dekadë më parë në Amerikën e Reganit dhe në Anglinë e Margaret Theçerit. Sipas tyre problemi ishte tek publikja, tek ato 9 fjalët më të shpifura të gjuhës së vendit të tij siç thoshte ish presidenti amerikan. Sipas tyre nuk kishte rrugë tjetër veçse të triumfonte “e vetmja alternativë” siç këmbëngulte ish kryeministrja angleze.

Në këtë xhunglën tonë, ku ideologjia dhe parimet e qendrës së perandorisë mbërrijnë të përçudnuara, u aplikuan meodat e asgjesimit të sferës publike, e zaptimit shfarosës deri në ekstrem e asaj që konsiderohej e përbashkët (deri tek pyjet, uji, toka) duke u mbështetur në devizën e neoliberalëve ekstremistë: “gjithçka e rregullon me magji tregu”.

Pikërisht ky film i parë me mijra e mijra herë, u aplikua edhe për privatizimin e ARMO-s. Argumentat që u përdorën janë të njohura.

Nuk ka pse të jetë private. Sheti nuk ka fuqi t’a mbajë. Duhet investuar që të modernizohet e si rrjedhim edhe të prodhojë më shumë. Duhen hedhur para për të pasur karburant më cilësor në makinat tona. Duhen teknologji të reja që të jenë shumë më miqësore me ambientin.

Ndërsa sot, dhjetë vite pas privatizimit, bilanci është krejtësisht i ndryshëm nga sa u propogandua.

Nga një ndërmarrje me fitim, eksperienca private e ka zhytur atë në borxhe të pashlyeshme. Asnjë investim serioz nuk është bërë për modernizimin e teknologjisë. Asnjë kujdes për ruajtjen e mjedisit. Asnjë përmirësim në cilësinë e karburantit me të cilin furnizojmë makinat (përpos faktit se nganjëherë kontrabanda na sjell në serbatorë naftë të papërpunuar) Dhe në fund, asnjë punëtor nuk është më në punë .

Përpos këtyre dështimeve administrimi privat dhjetë vjeçar ka krijuar një mostër, të aftë për të korruptuar tatimet, doganat, zyrat e hipotekave, përmbaruesit dhe gjykatat që të gjitha sëbashku, në harmoni dhe bashkëpunim, kanë krijuar borxhin marramendës prej 700 milionë eurosh.

Natyrisht, në këtë maskaradë ka rolin e vet të pamohueshëm edhe Sali Berisha që me makinacione të turpshme i’a dha ARMO-n një njeriu që dikur e kishte etiketuar si njërin prej kontrabandistëve më të mëdhenj (është proverbiale shprehja e kisha për Naçin jo për Taçin).

Patjetër në këtë skandal ka dorën e vet edhe Edi Rama që propogandonte në publik një amerikan të fuqishëm dhe ia linte në dorë ndërmarrjen një prej klientëve të tij më të afërt.

Por, sa do i lig dhe i pangopur të ketë qenë roli i tyre në këtë histori, ata kanë qenë vetëm kukulla me xhepat plot të një teorie që po rezulton anëekënd botës si një dështim, si burim krizash dhe krijuese e pabarazive ekstreme sociale; asaj neoliberale.

ARMO është shembulli më i mirë shqiptar se shpesh herë, anashkalimi i publikes në favor të peshkaqenëvë privatë, sjell një dëm kolosal. Ajo është ilustrimi perfekt i pothuajse gjithë privatizimeve katastrofale të dekadës së fundit.

Por, ajo është gjithashtu edhe një paraljamërim për të ardhmen. Ajo është një këmbanë alarmi për politikat e rilindjes që po e shkërmoqin atë që i ka mbetur shtetit në kuadër të koncesioneve dhe “projektit 1 miliardë euro”. Po të vazhdohet me këtë hartë rruge të asgjesimit të publikes, nesër, spitalet, shkollat e larta, autostradat madje dhe qytetet tona do t’i ngjajnë një gërmadhe si ARMO e sotme.

Prandaj, në këtë kuptim, vjedhja e kësaj ndërmarrjeje, me bashkëpunimin e plotë të qeverisjeve të Berishës dhe Ramës, nuk është e keqja më e madhe. Ato miliona euro të humbura nëpër xhepa pushtetarësh, do të jenë thjeshtë një pikë uji në oqeanin e politikave neoliberale, vazhdimi i të cilit mund të na përmbysë të gjithëve./Lapsi.al/

6 komente në “ARMO është më shumë se paratë në xhepat e Berishës dhe Ramës”

    1. Tani says:

      Po, po Andi i Hysni Kapos! Te gjithe jane te barabarte ne krim si Berisha edhe Rama! Kjo eshte nje teze shume e poshter! Rama qe punon dhe lufton per Shqiperine nuk mund te krahasohet me esadistin Berisha qe beri gjthcka kunder Shqiperise e shqiptareve dhe gjithcka per veten dhe familjen. Nuk i ha populli brockullat qe shkruani ju ish-komunistat me pagesat qe ju ben esadisti.

  1. Thirrja says:

    Thacit i lumte bytha: ” sa te rroje lale Gjoni/hani pini dhe kendoni/kur te vdese (s’ma ha mendja) lale Gjoni/merrni trastat dhe kerkoni” ,Thaci jep intervista neper bote a thua do te bleje prap klubin e Milanos,ku i dihet ndoshta blen komplet shqiperine.

  2. heretiku says:

    Privatizimi i sektoreve strategjike te ekonomise se Shqiperise eshte nje idiotesi me brire. Kush ka qene ideatori apo arkitekti i kesaj ideje eshte nje idiot, jo ne katror apo kub, por ne fuqi te “n”-te. Nafta, energjia elektrike etj. nuk duhen ne asnje menyre te privatizohen, sepse nje privatizim i mundshem, jo vetem qe nuk zgjidh problemin, por krijon probleme te tjera shume me te medha e te renda se sa ai fillestari. Privatizimi i sektoreve strategjike mund te realizohet dhe te jape rezultat ne vende me demokraci te konsoliduar, si Anglia, U.S.A. etj. ku edhe sistemi i kontrolleve eshte efikas, sistemi gjyqesor funksional, istitucionet e shtetit te pakorruptueshme. Por ne nje vend si Shqiperia, ku shtetit i merren kembet si te nje te semuri te sapo dale nga spitali, pas nje semundjeje te rende, te besh hapa te tilla eshte marrezi e shkuar marrezise.

  3. tironsi says:

    Nje gje smora vesh un, tani te dal ne protest te shtunen apo jo, se na bone corap. Se Sala thot dil ta mar un pushtetin, ti thuj aferen e ka bo Sala, Edi thot skeni pse dilni ne protest se do zbardhet ceshtja e privatizimit, ti thuj e ka bo Edi. Ndaja mendjen e me shkruj, te lutem

  4. lavdosh says:

    Andi jam dakort me nje gje: sistemi eshte i ngritur per te vjedhur publiken.
    Sa per ARMO-s dhe akuzen qe Rama po vjedh ja fut kot.
    Krimi me ARMO-n u be pas privatizimit dhe Berisha per arsye korruptive nuk detyroi Tacin te ndjeki termat e privatizimit (investim, teknologji, punesim etj etj)
    Sot ARMO eshte ne duart e aksionereve (shumica banka qe jane ne konflikte me njera tjetren dhe qeveria shqiptare ka nje perqindje te vogel)
    Qeverise i ka ngelur patatja ne dore dhe qeveria nuk ka asnje gje ne dore per te bere. Rama & Qeveria presin qe tju vije nje njeri nga qielli, tju prezantohet si Amerikan, Azer, Alien dhe tju premtoje. Me te marre ne dore drejtimin, e shikojne qe eshte e veshtire: uzina eshte e vjeter, jo rentable, ka shume te punesuar dhe ka shume detyrime. Vetem nje riorganizim qe duhet te kaloje nepermjet falimentit (dmth shuarjes se detyrimeve) dhe nje investimi te madh ajo mund te futet ne pune.
    Une se bashku me disa Investitore Indiane kemi nje plan. Por ka shume rreziqe. Dhe nje nga keto jane klima e pergjithshme ne Shqiperi, kur ne duhet te perballemi me sulme politike, sulme nga punetoret dhe duhet te japim llogari per te kaluaren. Ka ardhur koha qe te harrojme te kaluaren, ta leme te falimentoj (me gjithe cmimim social te madh) dhe tja japim atij qe ka nje plan te investoj dhe te punoje se bashku me qeverine dhe bankat per ta rimbekembur. Perndryshe ajo do kthehet si ish-Azotiku, is Soda/PVC e shume te tjera

    Shenim: Sa per taksat e papaguara nga drejtuesi i fundit mund tju them nje gje: ne rradhe te pare keto te ardhura nuk do te ishin nqs ai nuk rrezikoji dhe nuk e mori ne perdorim. keshtu shteti nuk ka humbur gje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje