Nga Artan Xh.Duka
Si me shumë data të “shënuara” po na e mbush kalendarin PD! I shkoi opozita bulevard e “revolucion”! Kështu dhe 27 janari. Prefur keq, ndonse gjithnjë futen kacek e dalin … fishek!
Jo se do ngelen vetëm në tribunë. Me siguri ca do u venë pas por “cunam” njerëzor, kurrsesi! Se njerëzit që të vijnë në protestë në masë nuk kanë nevojë as për mobilizim, as autobuzë me orare, pare xhepi etj. Boll të mbushet kupa e qeverisë se sheshi mbushet vetë. Që prapë s’do të thotë gjë se që të marrësh pushtet duhen mbushur sheshe e kuti votimesh bashkë.
Por, sa kohë opozita komandohet nga ky lidership, protesta nuk do të mund të përmbushë misionin në denoncimin e praktikave qeverisëse dhe ofrimin e shpresës reale. Është e destinuar të bëjë ca zhurmë dhe aq. Se një kauzë edhe e sajon po nuk e ke por moralit si t’ja bësh! Afërmëndsh, të ishin “burra” të mirë dje në pushtet, nuk do të dilnin në opozitë! Dhe të përfolurit e së djeshmes nuk mund të jenë shpresa e së nesërmes.
Qytetari ka gjithnjë të drejtë
Po ç’fitojnë apo humbasin palët nga kjo protestë? Qeveria nuk rrezikon shumë politikisht. E ndërgjegjshme për koston e reformave, e pret një reagim publik, bile si konfirmim, por protesta ndaj administrimit të reformave nuk mund të krahasohet me protestat e djeshme ndaj PD në pushtet. Reformat do i bëjë dikush dhe protesta është mëse racionale nëse kërkon më shumë transparencë dhe humanizëm për to. Ndërkohë, ajo rrezikon të kompromentohet jo thjesht si antiqeveri për interesa të ditës por si anti-reformë dhe rrjedhimisht kundër BE, SHBA e vetë interesit të vëndit të lidhur me të nëse slogani i saj degradon në retorikën e konsumuar “Rama ik” (që të vijë unë)!
Qeveria bën mirë të dëgjojë zërin racional të qytetarit në shesh. Është taksapaguesi i saj. Nëse tribuna e protestës i fryn tensionit dhe ekstremizmit, jo të gjithë në shesh ndajnë një mendim me të. Por dhe nëse sheshi brohoret thirrjet kundra reformës në drejtësi që në finale është thirrje e fshehur kundër integrimit në BE e partneritetit me SHBA, asgjë për t’u shqetësuar. Në Sërbi vetëm 52% janë pro-BE dhe ndoshta sa më shumë të ulet edhe preferenca jonë ndaj BE, aq më shpejt do e gjejmë veten brënda saj.
Ajo që qeveria nuk duhet të bëjë është karshillëku ndaj qytetarit. Prania e lidershipit të diskretituar të PD, nuk është arsye për indiferentizëm dhe vetsiguri. PS e post 97 e provoi këtë dhe në 2005 i hapi krahun lidershipit problematik të PD. Vetkënaqësia e PS është shumë më problematike se vetë opozita e PD dhe qeveria, favorin se në mbështetje të reformave ka SHBA e BE, nuk duhet t’a marrë të mirëqënë apo më keq, të abuzojë.
Nuk zbret pa prerë degën ku rri
Ndërkohë, lidershipi opozitar rrezikon të marrë përsipër faturë të madhe me këtë protestë me “pahir”. Jo thjesht ligjore në rast abuzimi në shesh por politike dhe elektorale për më tej duke i bërë dhuratën e rradhës Edi Ramës.
E para kjo protestë do të ri-ekspozojë dhe përforcojë imazhin regresiv dhe anti-reformë të lidershipit të opozitës në publik dhe tek ndërkombëtarët e interesuar për këtë vënd. Se jo për gjë por amnezia politika nuk është gjë e rrallë në këtë vënd dhe riciklimi i politikanëve të kohës së piramidave e 97 e dëshmon këtë gjë.
Së dyti, do të shtojë presionin për rotacion real në kampin opozitar. Demokracia dhe shteti ligjor do të hyjnë në normalitet vetëm kur të ndodhë reformimi real i së djathtës që së toku me të majtën progresive do të krijojnë binomin që garanton politikë normale në këtë vënd. Protesta rrezikon të jetë një “tullë” më pak në murin e lidershipit opozitar duke provokuar debat akoma më intesiv më pas për fatin e së djathtës në vënd.
Dhe kjo kur rotacioni real mbetet ende sfidë në vënd teksa tek të gjitha partitë pa përjashtim, ai thjesht është reduktuar në katapultim emrash të rinj që nuk shquhen për integritet e individualitet por servilizëm dhe megafon. Por PD është trashëgimi kombëtare dhe për shumë syresh ajo meriton më shumë.
E sa për qytetarët në shesh, meritojnë respekt nëse duan më shumë e më mirë ndonse në kohën e “lavdishme” të PD kishin shumë e shumë arsye më tepër për të mbushur sheshet plot. Dilni që dilni, shpresojmë të ngrini lart dhe ca tabela ku të shkruhet se kërkoni nga qeveria integrim të shpejtë në BE, përshpejtim të reformës në drejtësi si parakusht për integrim në BE, drejtësi për bashkëqytetarët martirë të 21 janarit që u tubuan si ju për çfarë gjykonin se ia vlente në jetë etj. Dhe mos harroni të mbani sytë poshtë që të mos shkelni mbi katër pllaka të shënjta në bulevard.
Dhe kur të shpalosni të gjitha këto kërkesa të drejta, me siguri do e ndjeni se kot i kërkoni xhevap qeverisë për ca gjëra që i dinë më mirë ca që keni në tribunë. Nëse e keni me Ramën, shpëtoni PD të keni ndonjë shans të shpëtoni nga ai.
(TemA)
cfare fytyrash! Ju qe do protestoni u kerkoni llogari ketyre fytyrave se keta jane problemi… nuk jane zgjidhja por kusuri qe po zvarritemi kaq gjate drejt BE. Mos u beni mish per top per keta hale.