Analisti Agron Gjekmarkaj ka bërë një skaner të protestës së opozitës, ku mes të tjerash ka renditur edhe problemet kryesore që nën optikën e tij nuk ishin shkuan siç duhet.
Gjekmarkaj në analizën për “Panorama”, shkruan se liderët e opozitës nuk sollën asgjë të re në protestë ndërkohë që nënvizon kritikat për bashkëpunimin me LSI-në.
“Turmës iu tha se do ecim përpara dhe do te rezistojmë. Fjalë të përgjithshme që Edi Ramës nuk i shkaktojnë as kruarje mjekre.
Lulzim Basha nuk tha asgjë të re. Retorika e tij sheqerosej me banalitet. Ai vetëm akuzoi, ndonëse disa akuza qëndrojnë. Monika Kryemadhi, ku e ku, përsëriti vetveten për të fituar doza opozitarizmi, pas tetë vitesh të majme pushteti.
Aty u fol për varfërinë teksa opozita vetë është e pasur qamet. Akuzat e forta ndaj saj për korrupsion, kur qeveriste, s’kanë munguar. Partitë shqiptare, të gjitha janë provuar në pushtet dhe në opozitë, përgjatë 27 viteve.
Me stoicizëm kanë gënjyer në të dyja rastet. Basha vetë për një kohë të gjatë ka qenë një nga njerëzit më me pushtet në vend,” shkruan ndër të tjera Gjekmarkaj.
Ndërkohë sa i përket ndjesës që kërkon Basha për gabimet që ka bërë gjatë qeverisjes, analisti ironizon që ndjesa bëhet me shpejtësinë e lëpirjes së akullores.
“Basha nuk pati guxim të bëjë kirurgjinë e katastrofave të veta elektorale para popullit opozitar. Për asnjë çast, në raport me to nuk guxoi të jetë i vërtetë.
Faljen ai e kërkon me shpejtësinë e të lëpirit akullore. Ai me përulje duhej të ekspozonte një të madh pendim, për sharrimin që i bëri investimit historik të resurseve njerëzore të asaj partie dhe të priste me dorë në zemër reagimin e atyre, që kishte përreth podiumit.
Turmës iu tha se do ecim përpara dhe do te rezistojmë. Fjalë të përgjithshme që Edi Ramës nuk i shkaktojnë as kruarje mjekre. Por nuk u tha si, dhe më kë. Njerëzit e afërt të Bashës, në shumicë, nuk merren seriozisht. Me zjarr në gji dhe zemërim në sy, ata kanë padurim për karrige. Një zot e di si ia punojnë qindin nesër asaj virane.
Luli pranoi pa kushte ministrat e LSI-së, nëpërmjet koalicionit opozitar, pa ua vënë në dyshim puritanizmin. Ndërsa largoi nga lista ish-ministrat më të rëndësishëm të PD-së dhe mbajti në të vetëm nga ata që u lidhen për këpucë.
Kauza që i bashkon me LSI-në, pra rrëzimi i Edi Ramës nuk mjafton për të ndërtuar kauzën e ngritjes së opozitës si alternativë pushteti.
Duhet diç- ka më shumë dhe më fort bindëse. Basha s’dha asnjë garanci për përfaqësim normal të popullit opozitar, të cilin deri tani e ka konsideruar si pushtet personal për ta ndarë me shërbestarët e vet. Disa në grupin e tij parlamentar janë hazër për Gines,” shkruan Gjekmarkaj. (TemA)
Zoti Agron ke bere nje analize shume korrekte. Ne fakt te pretendosh se flasin per varferine ata qe jane me te majmur se vete pozita, kjo eshte te tallesh me kete popull. Dhe ketij populli mire ja bejne te dy kahjet. Populli nuk duhet te dali qofte edhe ne zgjedhje po nuk u zhduken keto fytyra te ndyra nga skena. Keta hajdute qe nuk i lane gje pa be ketij popul;li, mehdiu, Nardi, Mona gjithashtu. O zot ku jetojme ku çdo imoralitet te shitet per moral.