Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i dedikoi një moment të veçantë në ceremoninë për çeljen e “Klubit të leximit të letërsisë austriake”, veprës së përkthyesit Afrim Koçi.
Duke u ndalur tek figura e përkthyesit, ministrja Kumbaro tha se Afrim Koçi ishte modeli perfekt i përkthyesit-hero të heshtur, i cili i dha zë mbi 90 veprave të rëndësishme të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. “Zgjodha të ndalem edhe pse rrallë në shoqërinë shqiptare i është dhënë vendi i merituar figurës së përkthyesit, bashkëautorit të fshehur të veprave letrare, lëvruesit dhe pasuruesit të mençur të gjuhës shqipe, urëndërtuesit të paemër që i gëzohet shkëmbimit kulturor pa pretenduar asnjëherë autorësinë e sipërmarrjes munduese. Afrim Koçi përbën modelin më të mirë të kësaj figure”.
Ministrja Kumbaro , e cila kishte zgjedhur për të lexuar një pjesë nga “Pianistja” e autores Elfride Jelinek, theksoi se “falë përkthimit të arrirë të Afrim Koçit, gjuha shqipe mundi të përballojë me sukses shtresëzimet e ngërthyera të një mendimi të ngjeshur, të fshehur në shtresat e ligjërimit. Nuk na mbetet vetëm t’i jemi mirënjohës duke u bërë të vetëdijshëm për “dhuratën” bujare që ai i ka bërë kulturës sonë.
Por në fakt bujaria e tij i kalon caqet e letërisë austriake në kuptimin territorial dhe përgjatë një jete të tërë njerëzore plot pasion e përkushtim ndaj letërsisë, rrok edhe shumë vepra të tjera botërore”, vijoi më tej Kumbaro.
Ceremonia e çeljes së “Klubit të leximit të letërsisë austriake”, u zhvillua sot në kuadër të Vitit Kulturor të Austrisë në Shqipëri. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë dhe katedrat e klasat gjermanofone të qytetit të Tiranës, kanë ndërmarrë nismën kulturore të themelimit të një “Klubi rinor leximi” që këtë vit do t’i kushtohet letërsisë bashkëkohore austriake.
Të shtunën e fundit të çdo muaji, në Sallën Gjermane të Leximit, në mjediset e Ndërtesë së vjetër të BKSH-së, “Klubi i leximit” do të trajtojë një autor austriak përmes një libri të përzgjedhur më parë dhe të dhuruar ose shpërndarë për lexim. Për librat dhe autorët e tyre do të ftohen të flasin përkthyes, njohës të letërsisë bashkëkohore austriake, profesorë të letërsisë dhe shkrimtarë shqiptarë e austriakë, duke nxitur më së shumti leximin dhe njohjen e tekstit letrar si dukuri estetike por edhe si ftesë për të reflektuar mbi jetën, mbi veten dhe botën. Ky projekt synon nxitjen e shijes së leximit dhe njohjen më të thelluar të letërsisë austriake të shekullit XX dhe XXI nga lexuesi i ri shqiptar duke përftuar një lexues të pasionuar e të kultivuar me vlerat e kësaj letërsie, jo vetëm në kontekstin e kulturës austriake por edhe atë evropiane.
Nese njeri nga shkrimtaret austriak qe do te prezentohet do te jet Peter Handke, atehere kjo pune do te kundermoj keq. Peter Handke eshte nje shkrimtar austriak proserb i betuar, qe ka vajtuar me faculete tek varri i Millosheviqit. Perkunder kesaj, ai ka qene kandidat shumvjeqar i Austrise per qmimin nobel, madje duke u ranguar nder dhjete te paret ne liste. Perndryshe ai i ka fituar te gjitha qmimet prestigjioze te letersise ne hapsiren gjermanofolese.