Pas ankesës që një qytetar i Mirditës bëri në portalin e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, në lidhje me qendrën shëndetësore në njësinë administrative Domgjon, së cilës i mungonte energjia elektrike, duke e bërë kështu jashtë funksioni, qendra u lidh me energji. Një problem i zgjidhur falë bashkëpunimit me qytetarët. Ndërkohë ka filluar puna me OSHEE, për të bërë lidhjen me energji elektrike edhe të tjera qendrave shëndetësorë, të evidentuara nga zëri qytetar në portalin e bashkëqeverisjes.
I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kryeministri Rama vlerësoi platformën shqiperiaqeduam.al, si një instrument në duart e njerëzve të zakonshëm, e cila i jep përgjigje çdo ankese apo kërkese në një hark kohor prej 10 ditësh e në 90% të rasteve qytetarëve u ka takuar të marrin zgjidhje. Ndërkohë ministrja Manastirliu falenderoi qytetarin, i cili harxhoi 3 minuta nga koha e tij për të shprehur një ankesë në portal. “Është rasti që të falenderojmë zotërinë që na vuri përpara kësaj përgjegjësie. Këtu mungonte energjia elektrike. Tani në rreth 37 qendra është vënë energjia elektrike. Ndërkohë që shërbimi nëpërmjet infermierëve ofrohet sipas orareve që kemi përcaktuar gjithashtu dhe mjeku në mënyrë periodike vjen dhe ofron shërbime në qendër”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Kryeministri gjithashtu shfrytëzoi rastin për të bërë me dije se gjatë katër viteve të ardhshme, 300 qendra shëndetësore në gjithë Shqipërinë do rindërtohen, ose ndërtohen nga e para. “Do të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para, në varësi nga situata, 300 qendra shëndetësore në gjithë Shqipërinë në katër vjet. 80 janë gjatë këtij viti dhe qëllimi ynë është që të kalohet nga një shërbim inekzistent që ka qenë, në një shërbim që të jetë në gjendje të përballojë gjithë atë fluksin e parë për nevoja që janë të përballueshme nga vetë qendra shëndetësore dhe që nuk ka nevojë që njerëzit të turren të gjithë drejt spitalit rajonal apo drejt Tiranës, në mënyrë që të lehtëson edhe spitalet nga mbingarkesa,” – u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministri përsëriti thirrjen për të gjithë që kanë një ankesë apo kërkesë që të regjistrohen në platformën e bashkëqeverisje. “Bashkëqeverisja funksionon e që të funksionojë edhe më mirë duhet të jetë bashkë-qeverisje. Pra, jo vetëm ne, por dhe qytetarët, të cilët shumë më lehtë sesa të shfryjnë e të ankohen për shërbime që nuk ju jepen, 3 minuta kanë nevojë të shpenzojnë në platformën shqipëriaqeduam.al dhe në 10 ditë marrin përgjigje për ankesën, kërkesën apo shqetësimin e tyre,” – tha Kryeministri.
Ndërsa më tej ai deklaroi se megjithëse u duk si absurditet ky informacion, doli të ishte një situatë e pabesueshme por realiteti.
“Në fakt ne erdhëm këtu sot jo sepse është bërë ndonjë çudi apo sepse u zgjidh një rast pasi në platformën e bashkëqeverisjes që ka vetëm 3 muaj që është ndezur si ekran për të gjithë qytetarët janë zgjidhur mijëra raste por erdhëm këtu sepse u desh një qytetar që mori vesh se nuk është lidhur akoma energjia elektrike. Në fillim u duk si absurditet pastaj kur u futëm më thellë, ministrja u angazhua vetë, zbuluam një situatë të pabesueshme që nuk ishte vetëm kjo qendër por ishin 30 Qendra Shëndetësore në Mirditë që nuk ishin bërë lidhje me energjinë elektrike dhe disa qindra mijëra Qendra Shëndetësore nëpër Shqipëri që nuk kishin bërë lidhje.
Një gjë e qartë që tregon se sa shumë punë kemi për të bërë shtetin. Ne kemi Drejtori Rajonale të shërbimit Parësor por kur vjen një informacion i tillë na ka munguar me vite. Ky është realiteti, s’kemi çfarë të fshehim. Shprehje flagrante e degradimit të shtetit nga politika e tepsisë. Shko drejtor ti aty, ti këtu dhe drejtori e ka pas mendjen për punët e veta. Ne po bëjmë diçka që erdhi si rezultat i ankesës së një njeriu. Platforma e bashkëqeverisjes funksionin. Koha kur qytetari trajtohej keq dhe nuk kish xhami e kishë ku të falej ka mbaruar”, deklaroi kryeministri.
hahahahahaahhahhaahahah, me leket e detit te shitur…..apo naften qe del ne detin e shitur…..?