Trajneri Skënderbeut, Ilir Daja, foli pas fitores së arritur në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë. Daja u shpreh i kënaqur pas këtij tre pikësh duke theksuar se tashmë ekipi po rifiton formën e duhur.
“Sinjalet i dhamë që në ndeshjet me Teutën. Nuk kam qenë i kënaqur totalisht nga loja por nga mënyra e vlerësimit të ndeshjes. Në këtë stadium ke qejf të luash dhe ke shumë mundësi të shprehesh.
E filluam keq, por kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë. Ajo që s’më pëlqen është fakti që në një periudhë të shkurtër të pjesës së dytë pati oshilacione. Dalngadalë po futemi në formën e dikurshme.
Gjatë përgatitjes së një ndeshje merren parasysh individët si dhe forma e lojtarëve dhe ajo që cfarë kanë bërë një ndeshje më përpara. Ajo që nuk duhet të përsëritet janë gabimet. Lojtarët duhet ta vlerësojnë maksimalisht ndeshjen”, tha Daja.
Ndërsa, trajneri Vllaznisë Ernest Gjoka u shpreh:
“Ndiej keqardhje, pasi duhet të kishim shënuar edhe golin e dytë në momentin pozitiv të skuadrës.
Skuadra duhet të japi akoma edhe më tepër, pasi ka mundësi të japi shumë më tepër.
Momenti nuk është aspak i mirë dhe të gjitha kanë të drejtën e kritikës. Ajo që ne duhet të bëjmë është të japim maksimumin në ndeshjen e radhës”, u shpreh Gjoka.