Në një kohë që Shoqata e Arbitrave ka reaguar kundër trajnerit Shpëtim Duro, figura të njohura të futbollit i kanë dalë në mbrojtje.
Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Duro thotë se në karrierën 20- vjeçare nuk ka marrë asnjë dënim. Duro thekson se rëndësi ka kur të mbështesin figurat e shquara dhe jo rrogëtarët.
“Normalisht unë jam një trajner që në karrierën time 20- vjeçare nuk kam marrë asnjë dënim. Për mua ka shumë rëndësi kur të mbështesin figura të shuara të futbollit dhe sportit, si dhe opinioni i gjerë. Kjo është më e rëndësishmja. Kur të dënojnë rrogëtarët, nuk ka fare rëndësi. Jam shumë i kënaqur që më mbështet opinioni i gjerë. Kaq mund të komentoj për këtë pjesë dhe asgjë më shumë”, tha fillimisht trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”.
KUPA NDAJ PARTIZANIT
Trajneri Shpëtim Duro është i sinqertë teksa shprehet se kualifikimi për në raundin gjysmëfinal të Kupës ende nuk është mbyllur. Por, rezultati i ndeshjes së parë u jep të drejtë vlonjatëve që të shpresojnë. Duro thotë se ekipi po përgatitet që të japë maksimumin në këtë takim dhe pranon se rezultati i ndeshjes së parë është në favorin e ekipit të tij.
“Ndeshja e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Partizanin është një takim specifik. Ne kemi marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, por për asnjë nga skuadrat nuk është mbyllur asgjë. Kështu që na duhet të bëjmë maksimumin duke qenë së në favor kemi rezultatin e parë, i cili ka qenë pozitiv për ne, pasi fituam 1-0. Po përgatitemi seriozisht për këtë takim, për të dhënë më të mirën dhe për të marrë kualifikimin. Situata në ekip është e mirë, ndaj besojmë”, u shpreh trajneri i vlonjatëve.
BLERJET E JANARIT
Shpëtim Duro ndalet edhe te blerjet e reja. Trajneri i Flamurtarit thekson se nuk është i zhgënjyer, por çdo gjë do kohën e vet. Duro shprehet se pret më shumë nga Nedljekoviç. “Nuk jam i zhgënjyer nga blerjet e reja. Natyrisht, çdo gjë ka kohën e vet. Zuka ka qenë stabël në formacion. Nga Muarem, si ndeshje e parë, jam i kënaqur. Tunkara ka pak kohë që ka ardhur dhe besoj se do të bëjë mirë. Nedljekoviç për mua është brenda pritshmërive, natyrisht që unë pres më shumë prej tij”, përfundon Duro.