Programi PAMECA V, Xhafaj: Së shpejti rezultate të tjera në luftën kundër krimit të organizuar

14 Shkurt 2018, 14:12Kronika TEMA

Nis zbatimi i programit PAMECA V, i Misionit të Bashkimit Europian, dedikuar ndihmës dhe asistencës për Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë. Në ceremoninë e zhvilluar, i pranishëm ka qenë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit si dhe ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian që mbështesin projektin.

Dokumenti Politik i Prioriteteve, si akt i parë publik pas marrjes së detyrës, në të cilin unë dhe stafi im jemi përpjekur të prezantojmë vizionin dhe objektivat tona mbi politikat e sigurisë publike, ka qenë fryt edhe i një kontributi të drejtëpërdrejtë i ekspertëve të PAMECA-s, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në hartimin e tij. Mes këtyre prioriteteve vlen të përmenden, kontributet e ekspertizës tuaj lidhur me hartimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale apo të pajustifikuara, luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, pastrimit të parave, korrupsionit dhe vecanërisht me idetë për përmirësimin rrënjësor të ndërtimit dhe funksionimit të hetimit policor, përfshi  edhe riorganizmin e Departamentit të Policisë Kriminale në qendër dhe në nivel vendor, natyrisht e parë kjo e lidhur edhe me efektet që krijojnë strukturat e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi.

Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë.

PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017 mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale Operacionale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale. Sukseset e para të këtij operacioni tashmë janë evidente. Besoj fort se të tjera rezultate do të kemi në luftën kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale. Koha do të provojë qartësinë dhe vendosmërinë time në këtë proces jetik për forcimin e Shtetit të së drejtës dhe integrimit europian të vendit”, nenvizoi Ministri.

Duke u ndalur tek lufta ndaj krimit të organizuar, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin deklaroi se ky është një fenomen që nuk njeh kufij dhe për këtë duhet të punojmë të gjithë bashkë.

Gjithsesi, çelësi është vullneti politik dhe vendosmëria për t’u marrë me problemin pa asnjë kompromis. Dhe unë dua të falënderoj këtu me gjithë zemër z. Ministër Xhafaj dhe stafin e tij, për punën e tij serioze, të përkushtuar dhe partneritetin në këtë betejë. Në 2017-n, ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Dhe unë besoj se ky është vetëm fillimi, që përfundimisht duhet të forcohet dhe të ndiqet nga operacione të ashpra, që duhet të godasin interesat kyçe të krimit“, nënvizoi diplomatja e BE-së.

Ambasadori Italian në Tiranë Alberto Cutillo përshëndeti arritjet e Qeverisë në luftën ndaj krimit të organizuar. “E konsideroj me të vërtetë të mrekullueshëm impenjimin dhe angazhimin e Qeverisë aktuale shqiptare në luftën kundër krimit dhe në kërkimin e vazhdueshëm të mënyrave më të mira për të rritur kapacitetet e institucioneve shqiptare që janë për këtë luftë. Dhe ky impenjim është prova më bindëse se vetëdija në luftën kundër krimit dhe korrupsionit është me të vërtetë një çështje e rëndësishme që kërkon përgjigje. Reformat duhet të tregojnë tashmë në terren efikasitetin, kapacitete efektive për të arrestuar kriminelët dhe për t’i vendosur ata përpara drejtësisë. Arritja e rezultateteve të shpejta do t’u dëshmonte të gjithëve faktin se Shqipëria është tashmë e maturuar për të çelur negociatat për afrimin dhe anëtarësimin e saj“, theksoi ndër të tjera ambasadori Cutillo.

Drejtori i Marrëdhënieve Juridike me Autoritetet e Huaja në Prokurorinë e Përgjithshme, Arqile Koça pohoi se prioritet mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese. “Përtej angazhimit të vazhdueshëm të gjithë bashkë kemi konstatuar se institucionet ligjzbatuese kanë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe ato në lidhje me infrastrukturën dhe teknologjinë, për t’iu përgjigjur me efikasitet dhe pa kompromis luftës kundër grupeve kriminale dhe trafiqeve ndërkombëtare. Institucioni i Prokurorisë shpreh vullnetin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave të punës tuaj, pasi ne jemi të bindur se ato konvergojnë me objektivat tona“, tha Koça.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje