UEFA ka denoncuar sot një nga ngjarjet më të turpshme në historinë e futbollit shqiptar. Inspektorët e këtij institucioni, të cilët po hetojnë ngjarjet që kanë lidhje me akuzat për manipulime të rezultateve të ndeshjeve nga Skënderbeu, janë kërcënuar me jetë nga persona ende të paidentifikuar.
Bëhet fjalë për avokatin e njohur spanjoll Miguel Lietard Fernandez-Palacios, si dhe ekspertin e basteve belg, Karl Dhont. Nuk është specifikuar se në çfarë mënyrë kanë ardhur këto kërcënime me jetë, por deklarata e UEFA-s linte të kuptohej që bëhej fjalë për kërcënime serioze.
Gjëja e çuditshme në këtë mes është se një nga inspektorët e kërcënuar është i punësuar te një nga miqtë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, njëkohësisht edhe sponsor te Skënderbeu. Fernandez-Palacios, i cili merret prej vitesh me çështjet e trukimit dhe ka ndjekur nga afër atë të përjashtimit të Fenerbahçes disa vite më parë, punon për zyrën “Sport Advisers”, e cila i përket Gorka Vilar, djalit të ish-presidentit të Federatës Spanjolle, Angel Maria Vilar.
Lidhjet e Dukës me Vilar janë të njohura botërisht, pasi kreu i FSHF-së, ashtu si spanjoli, ishin në grupin e presidentëve që bënë lobim për emërimin e Platini në kreun e UEFA-s dhe mbështetnin vazhdimisht francezin.
Vilar ka qenë gjithmonë i gatshëm të vinte në Shqipëri sa herë i nevojitej Dukës dhe 8 vite më parë, në zgjedhjet e vitit 2010, ishte ai që ngriti lart dorën e Dukës në mënyrë triumfuese kur ky i fundit fitoi mandatin e tij të tretë në krye të FSHF-së. /vipsport.al/