Shqipëria është një vend ekstremesh. Këtë e thotë vetë trajneri i Kukësit, Peter Pakult, në një intervistë të dhënë për mediat në vendlindje.
Tekniku i skuadrës verilindore ka treguar se si pranoi sfidën për të drejtuar në Kategorinë Superiore, duke u shprehur se ishte i ndërgjegjshëm për atë që e priste në Shqipëri në momentin kur mbërriti këtu.
“E njihja vendin, mentalitetin. Tipik jugor. Ka vetëm ekstreme. E dija se në çfarë po përfshihesha”, theksoi ai duke shtuar me pas se “kampionati është shumë i luftuar, niveli është i mirë”.
Ai ka zbuluar gjithashtu se ekipi përgatitej në Tiranë, ku edhe jetonte, për faktin e thjeshtë se kushtet në Kukës nuk ishin aq të mira.
“Nuk na mungon asgjë këtu. Në të kaluarën rruga në Kukës nuk kishte autostradë, ishte një udhëtim nëpër botë, ishin komplet të izoluar”, tregoi ai, duke zbuluar se në dimër, situata komplikohej më shumë. “Para ndeshjes një kamion hyn në fushë dhe pastron dëborën”, tregoi trajneri i Kukësit.