Pse e majta shqiptare nuk qeveris dot si e majtë?!

26 Shkurt 2018, 21:20Blog TEMA

Nga Ben Andoni 

Qeveria e kryeministrit Edi Rama po mbush vitin e saj të pestë në krye të Ekzekutivit shqiptar. Veçoria që e dallon nga mandati i ish-qeverisë “Berisha” është e dukshme në një drejtim, që ky Ekzekutiv ka vetëdije më të larta sa i përket administrimit të shtetit dhe krijimit të strukturave, që e mundësojnë funksionimin. Anipse në realitet qeveria e majtë e zotit Rama nuk po i gjegjet realisht nevojës së qytetarit të thjeshtë shqiptar. Për më tepër cinizmi i të gjithë administratës së tij ndaj problematikës së klasës së varfër dhe asaj të mesme është i dukshëm. Fillimisht, sa i përket përgjigjes ndaj përmbushjes së detyrimeve dhe së dyti, përshtatjes së programit me nevojat e njerëzve. Klima ekonomiko-sociale në peizazhin zhvillimor të vendit është e zymtë, kurse e vetmja shpresë për fasha të ndryshme të shoqërisë po mbetet largimi.

E majta e dy mandatave të fundit, jo shumë larg asaj të së shkuarës, mëton se po drejton brenda kanoneve të së majtës, por nga mënyra e realizimit të funksionit të saj është një forcë krejt e djathtë, jo pak herë krahasuar disi me të djathtën ekstreme. Në ditët tona, shumë segmente të funksionimit të fushave të ndryshme të ekonomisë së vendit janë dhënë me koncesion, mirëfilli politikë e djathtë, fakt që e mbart fuqinë tek privati. Referimet për pakorrektësinë e tyre po denoncohen vazhdimisht dhe koncesionet janë kthyer në simbol të pafunksionimit. Për më tepër, koncesionet, me gjithë mëtimet se do të sillnin ndryshime, duhet thënë se aty ku janë aplikuar jo vetëm nuk kanë dhënë rezultatet e duhura, por e kanë keqësuar shërbimin ndaj publikut dhe e kanë zbehur pritshmërinë e të ashtuquajturit Partneritet Publik-Privat.

Buxheti i qeverisë së majtë, në këtë mandat ashtu si dihet dhe thuhet nga propaganda e saj e justifikon marrjen e taksave me argumentin e rritjes së investimeve publike. Thelbi i tyre në një model funksional ekonomie është rritja e ekonomisë së vendit, punësimi dhe mbi të gjitha, rritja e konsumit. Në fakt, konsumi po tkurret edhe nga referencat zyrtare, punësimi lë shumë për të dëshiruar. Të gjitha këto jo vetëm nuk po funksionojnë si duhet dhe nuk referohet pse dështojnë, por përmes retorikave dhe justifikimeve po mëtohet sërish për rritje të mëtejshme taksash, për të cilat priten zgjidhjet e sloganeve programore të “Rilindjes Urbane”.

Dhe, njësoj si me të djathtën, edhe nën qeverisjen e majtë të Ramës, Partneriteti Publik-Privat po favorizon bizneset në kurriz të qytetarit, kurse nga ana e tyre parlamentarët shqiptarë thjesht aprovojnë duke ligjëruar interesa biznesi në dëm real të pasurive dhe interesave publike. Dhe keqardhja shtohet kur kujton se megjithëse në fushatat elektorale u pretendua për kontrolle të kontratave koncesionare, asgjë e re nuk ndodhi. “Për të mos thënë se situata është përkeqësuar nga ‘negocimi’ jotransparent i tyre, që më e pakta kanë ruajtur interesat, përndryshe fitimet, e kompanive që i kanë ‘fituar; në tavolinat e restoranteve ku bëhen bisedime të tilla dhe pak ose aspak në jetën ekonomike të vendit apo në ‘tregun e lirë’, siç thuhet ndryshe”, shprehet analisti ekonomik Zef Preçi në një koment të tijin. Një listë e gjatë koncesionesh, e cila fillon me nxjerrjen e përpunimin e naftës, aeroportin ndërkombëtar të vendit, ngjyrosjen e karburanteve, sterilizimin e përqendruar të instrumenteve, vendim-parkimet, djegien me incinerator, mbikëqyrjen e lojërave të fatit, e deri te aeroporti i Vlorës kanë një të përbashkët: u mungon elementi bazë që quhet transparencë, por edhe dëmi që po krijojnë në kurriz të ekonomisë. Pikërisht këtë dëm, që shkon kinse i pavërejtur, qeveria e majtë e neutralizon në dukje duke shtuar lakun e taksave te klasat e varfra dhe të mesme për të shprehur politikat e veta.

E majta shqiptare, e përsërisim, është gjithnjë e më shumë cinike, sepse nuk është më transparente. Ndërkohë që një e majtë efektive dhe në artikulim duhet të jetë shumë më e afruar me njerëzit. Por të mjafton të shikosh ligjërimet e kryeministrit dhe e vartësve të tij, bindesh se e majta ka probleme të mëdha në konceptimin e vetvetes. Dhe, më shumë akoma, të mjafton të shikosh luksin e përfaqësuesve të saj, ata që e përfaqësojnë dhe retorikat e saj, që të bëjnë të trishtohesh. Përveç opozitës, ajo nuk kursen në fyerje me median dhe këdo komunitet interesi, që i preken atributet bazë. Ka një të vërtetë në atë që thotë kryeministri sa i përket nënvleftësimit të punës, porse shqiptari po e humb pak nga pak dhe atë pak nerv pune prej vetë politikës kaotike të majtë. Që gjithsesi nuk mund të justifikohet me cinizmin e pafre që po bëhet ndaj njerëzve. Kësaj i shtohet kaosi i pensioneve, kontributet që mezi verifikohen (në rastin më të mirë), shërbimet e dobëta, mungesa e investimeve të huaja, mungesa e punës dhe mbi të gjitha, vrasja e shpresës që nuk mund të përbëjë asesi një politikë të majtë.

Partitë e majta mbështeten zakonisht fort nga punëtorët si dhe nga shtresa e mesme, kurse partitë e djathta, nga të ashtuquajturit kapitalistë dhe punëdhënësit, e paçka relativitetit të këtij konstatimi, e majta shqiptare është më afër interesave të të fortëve sesa përfaqësuesve të klasave të varfra, që përballen çdo ditë me mbijetesën. Këtë e shikon nga përbërja e saj, por edhe politika në ndihmë të vazhdueshme e të pakushtëzuar ndaj të kamurve të dyshimtë. E nuk mbaron këtu. E majta shqiptare, përfaqësuar më së shumti dhe pothuaj vetëm nga PS-ja në fuqi (LSI nuk po e llogarisim, sepse nuk mundi asnjëherë të përçojë si duhet ideologjinë e saj) e ka harruar elektoratin e saj, ashtu si harroi simbolikat klasike, sepse fatkeqësisht ka humbur dhe po humb çdo ditë identitetin e saj si parti e majtë.

9 komente në “Pse e majta shqiptare nuk qeveris dot si e majtë?!”

  1. O says:

    Çdo President kur zgjidhet, në betim thotë që do jem President i të gjithve (në shtetin që perfajqson) ashtu dhe e majta

    1. Lavdi PPSH says:

      Pergjigja a te semundja kanceroze e komunizmit qe vetem vdekje ndjell.Si PS dhe PD/LSI= bije dhe bija te Enverizmit tip shqiptar.

  2. Tepelena says:

    Analize shume e sakte. Sa keq per ate popull.

  3. Skerdi says:

    Tani pasi i the qe ka deshtuar ne cdo fushe, vetem komenti fillestar eshte ironik ne kete artikull “ky Ekzekutiv ka vetëdije më të larta sa i përket administrimit të shtetit dhe krijimit të strukturave, që e mundësojnë funksionimin.”

    Nje ekzekutik qe deshton kudo, nuk e di se per cfare vetedije mund te mburret.

  4. andon b. says:

    po c’a flet ore, kodra pas bregut…
    e majta apo e djathta kane kuptim ne nje shtet te konsoliduar
    kurse Shqiperia vetem keto 5 vjet po perpiqet te beje shtet
    taksat , thote ky gazetari filozof
    po cfare shteti mund te ngresh pa taksa? as te majte , as te djathte, vetem rrumpalle sic e kishte Saliu
    ti or zotni gazetar nuk ke kulturen e nevojshme per keto probleme
    por shume si ty ju duket vetja “koke te medha”, beni teorira koti per tu dukur interesante
    mender nje hiç
    “kokat” vertete mund ti keni te medha , po jo ate qe mbani mbi shpatulla
    mjaft se na merzitet, shkonj masturbohuni gjekundi tjeter

  5. Ana says:

    Ky aktori i gjithedijshem, Andoni, e drejton akoma “Milosaon”, suplementin letrar, m.q.s. eshte “adap” edhe per pune letersie dhe gjykon se c’eshte me vlere apo jo per t’u botuar, sipas kaplloqes dhe interesave te tij? Moj kasolle, ku na mblodhe!

  6. BLERIM says:

    Blerim
    Urime Ben Andonit per analizen e sakte, por edhe profesionale qe i ben shtremberimit te politikave ekonomike te asaj qe sot eshte ne pushtet,dhe e quan vehten te majte. Kjo parti e drejtuar nga Rama vetem 29 Nentorin e ka te majte(nese do quanim te majte partine e Enverit,e cila krijoi nje shtet feudal me nje mbret dhe kaste oborrtaresh qe shtypen cdo liri dhe barazi mes shtetasve shqiptare),pra “e majta e sotme” mban flamurin e te majtes,por ndjek praktikat e se djathtes duke rritur pasurite e te pasurve dhe varferine e puntoreve,fshatareve dhe shtreses se mesme.Urime botuesit dhe gazetarit te talentuar Mero Baze,qe pa asnje paragjykim boton artikuj qe jane pasqyre reale e politikave qe ndjek sot qeveria ne pushtet,e cila ka kthyer politikat ekonomike nga e majta ne te djathte duke shtremberuar thelbin e politikave te saj ne favor te shtresave ne nevoje.Mendoj qe te majten nga e djathta nuk e ndan 28 dhe 29 Nentori , por ne radhe te pare ndjekja e politikave ekonomike zhvillimore ne favor te shoqerise ne kendveshtrime te ndryshne ndryshme,ku e djathta rrit ekonomine dhe punesimin me ane te rritjes e fuqizimit te korporatave duke i ulur taksat ethe..,ndersa e majta e sheh zhvillimin e ekonomise duke ulur taksat ndaj popullsise e biznesit te vogel , dhe taksimin me te larte te kapitalit,dmth te korporatave a po biznesit te madh,sic e quajme ne,per te rritur rrogat e pensionet e popullit ne teresi.

  7. @autori says:

    Ne nje mjedis me hajdute dhe mashtrues te kalibrit shteteror nuk mund te diskutosh per politika te majta ose te djathta. Cdo gje reduktohet ne luften dhe konkurencen qe hajdutet bejne me njeri tjetrin per te kapur tregun..

  8. Leo says:

    Kuptimi i vertete dhe shkencor i dyshes E majta – E djathta i nje shteti eshte uniteti dhe kontradikta e te kundertave qe perbejne zhvillimin e vetvetishem ne natyre dhe progresin e ndergjegjshem ne shoqerine njerezore te organizuar ne shtet nepermjet votes te hapet (aspak te fshehet dhe manipuluese qe poshtron demokracine). Ne kete kuptim, pas vendimit me votim vendoset uniteti per progres dhe kontrafikta shfaqet kur mbaron afati i vendimit dhe behet votimi ciklik.
    Progresi nuk eshte ne varsi te kreut apo klikes se kreut por ne varesi te organizimit te funksionimit demokratik te Partive pretendente per pushtet te rregulluara me kushtetute, me te cilen duhet te jene ne pajtim te plote kodet e te majtes dhe te djathtes. Funksionimi i Kuvendit behet vetem me grupe parlamentare jo me grupime politike te zgjedhjeve para votimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje