Partia Demokratike zyrtarisht nuk mbështet kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të partive të tjera aleate për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me qëllim për të rritur përfaqësimin e partive të vogla në Parlament, duke dobësuar dy partitë e mëdha.
Nderkohe qe jane zbardhur të gjitha kërkesat e Partisë Demokratike të bëra në komisionin për reformën zgjedhore, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Në propozimet e PD, të artikuluara nga bashkëkryetari i demokrat, Oerd Bylykbashi, nuk figuron propozimi i partive aleate për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke futur elementin e korrektimit kombëtar, i cili garanton barazinë e votës, shkruan Shqiptarja.com. Në qëndrimet për Reformën Zgjedhore, kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, e ka vënë theksin tek garantimi i barazisë së votës në zgjedhjet e ardhshme, që nënkupton ndryshimin e sistemit zgjedhor, me qëllim që votat e të partive më të vogla të mos shkojnë për partitë e mëdha, por të mblidhen në disa zona dhe të prodhojnë mandat.
Ndërkaq, krerët e partive të tjera aleate të PD e kanë kërkuar hapur dhe prej disa vitesh korrektimin kombëtar. Megjithatë, një propozim i tillë nuk figuron në listën e kërkesave të Partisë Demokratike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Një ndryshim i tillë nuk mbështet as nga Partia Socialiste.
Vetë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ndajnë qëndrime të ndryshme sa i takon teknologjisë në zgjedhje. PD pretendon se në komision është rënë dakord për implementimin e votimit dhe të numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Partia Socialiste ka deklaruar se nuk ka asnjë dakordësi për një çështje të tillë.