Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur pas fitores së arritur në transfertë kundër Lushnjes.
Trajneri i verilindorëve u shfaq i kënaqur pas fitores duke shtuar se skuadra duhet që ta mbyllte më shpejt ndeshjet, si dhe preku dhe largimin e Elis Bakajt.
“Kaluam në min e fund të pjesës së parë në 2 gola avantazh, dhe nuk na lejohet të pësojmë. Kishim raste të shënonim edhe të tretin, dhe në ndeshje si kjo, duhet të dridhesh deri në fund, të marrësh 3 pikët. Duhet ta mbyllnim më herët.
Ata që duan të largohen, nuk kemi pse t’i ndalim.
Nuk duhet të merremi me Bakajn, pasi ai do të largohet tani, kjo dihet. Duhet të merremi me gjërat që na takojnë tani. Ai ka shënuar shumë gola për ne, e pranojmë që është lojtar i rëndësishëm, por duhet të vazhdojmë pa të.
Pak ekipe, edhe në Europë, mund të dominojnë për 90 minuta. Do të mundohemi të përmirësojmë nga java në javë. Sot thjesht duhet ta mbyllnim më herët.
Në këto 2 muaj që jam unë këtu, kam dëgjuar shumë gjëra për trajnerin që ka qenë më para. Tani kemi filluar të luajmë futboll më të mirë, filozofia ime është të ndërtojmë një ekip që luan futboll më mirë. Kur kam ardhur kemi qenë në vendin e 4, tani jemi në vendin e 2. Ka akoma shumë ndeshje. Shpresojmë që deri në fund të bëjmë ndeshje të mira”, u shpreh Pakult.
Ndërsa, trajneri i Lushnjes Dritan Çuko deklaroi:
“Unë jam shumë i kënaqur nga skuadra. Bëmë një analizë pas humbjes ndaj Partizanit dhe i kemi motivuar futbollistët për vazhdimin. Nëse vazhdohet kështu, do i hapim punë të gjithë ekipeve.
Kemi shumë probleme me mungesat por edhe problemin e terrenit. Këtë modul loje që kemi luajtur sot e kemi shpjeguar vetëm në tabelë, pasi në fushë nuk kam pasur mundësi.
Nëse arbitri na shkelin si në vendin e fundit, atëherë nuk kemi se çfarë të kërkojmë nga futbollistët. Unë kam pretendimet e mia në rastin e Pepës që kundërshtari kapi topin me dorë. Kur hyra në dhomat e zhveshjes, ai më tha se arbitri ka mbajtur vetëm në krahun e Kukësit dhe ishte i sigurtë për këtë gjë.
Futbollistët do të mundohemi t’i motivojmë edhe pse vuajnë shumë në këtë kampionat. Sa i përket çështjes së fushës, do të mundohemi ta rregullojmë këtë problem për sezonin e ardhshëm. Shpresoj mos të na shkelin edhe arbitrat në fushën e lojës, ishte histori tjetër takimi i humbur me Partizanin. Edhe në rastin e Maganit që u ndëshkua me karton të kuq, edhe kundërshtari e goditi me bëryll”, tha Cuko.