Përmendi çështje pagash te Flamurtari, Idrizi: Sinematin e sfidoj të vijë në Vlorë të shohë llogaritë

6 Mars 2018, 16:45Sport TEMA

Gjatë emisonit “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, kur u diskutua humbja e Flamurtarit në Shkodër, gazetari i njohur Gëzim Sinemati përmendi fakti se në Vlorë ka një çështje pagash, që e pengon ekipin të shprehet si duhet në fushë.

Ka reaguar ekskluzivisht për “Vipsport.al” administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, i cili i është drejtuar gazetarit Sinemati me një ftesë publike për të shkuar në Vlorë dhe për të verifikuar llogaritë e lojtarëve dhe stafit të Flamurtarit:

“Jam i shokuar nga ajo deklaratë që kam dëgjuar, sepse e kam konsideruar z.Gëzim Sinemati një gazetar mjaft të mirë në vend, një penë.

E ftoj të vijë në Vlorë dhe të verifikojë llogaritë e lojtarëve të Flamurtarit dhe të stafit teknik. Le ta shohë se sa paguajmë ne për ekipin. Nëse ka një problem si ai që përmend ky gazetar, tërhiqem unë, në të kundërt z.Sinemati duhet të kërkojë ndjesë publike për atë që ka thënë.

Nuk ka asnjë problem financiar te Flamurtari. Edhe një herë: e sfidoj Sfidantin të vijë në Vlorë dhe të shohë gjithçka me sytë e tij. E respektoj si gazetar, por në këtë rast nuk e di pse ka lëshuar atë deklaratë absurde.

Ndoshta e ka hallin diku tjetër, nuk e di. Sepse po dëgjoj dhe shumë historira të tipit: “Idrizi u puth me Dukën në zgjedhjet e FSHF-së” apo ku di unë. Unë jam qytetar dhe i jap dorën fituesit”, – theksoi numri 1 i klubit vlonjat.

Më tej, Idrizi ka bërë edhe një koment për ekipin: “Nuk marr vesh nga anët teknike, por kam vënë re që në ndeshjen me Partizanin se nuk ishim mirë. Humbja në Shkodër lë shije të hidhur, por nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të shohim përpara”, – përfundoi administratori Idrizi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje