Nga Laçi te Laçi. Treguesit janë tejet negativë për Flamurtarin. Nga ajo ndeshje e humbur në Vlorë në dy ditë, për shkak të motit të keq, ku skuadra e Duros u mund me një penallti, gjërat kanë shkuar keq për kuqezinjtë, por sidomos javët e fundit, që i përkasin fazës së tretë të kampionatit.
7 gola ka shënuar Flamurtari në 9 ndeshje, duke nisur nga humbja me Laçin në Vlorë. 3 nga këta gola i ka shënuar në fushën e Kamzës, ku fitoi 0-3, dhe më pas i ka shënuar 1 gol Partizanit në Vlorë (1-0), 1 Kukësit në transfertë (1-1) dhe 2 Lushnjës në Vlorë (2-0).
Më pak se një gol për ndeshje. Dhe të mendosh që në skuadër janë sulmues si Bushiç dhe Alvesh, pa përmendur Ardit Hoxhajn, Kamaranë apo Nedeljkoviç, Muarem dhe Tunkara, të ardhur gjatë merkatos së dimrit.
Mungesat patjetër që ndikojnë, për për një klub me një investim kaq të madh është e papranueshme një ecuri e tillë. Dy humbje radhazi, 1 nga të cilat në shtëpi, 4 gola të pësuar dhe asnjë i shënuar, këtu ka vend për “alarm”.
Faza e tretë është katastrofike për vlonjatët, që u vlerësuar si forca e dytë e kampionatit pak kohë më parë, por 3 humbje, 1 barazim dhe 1 fitore me Lushnjën, tregojnë qartë se skuadra ka probleme, përtej mungesave.
5 gola të pësuar në këto 5 ndeshje dhe vetëm 2 të shënuar kanë sjellë një situatë shqetësuese te Flamurtari, që duhet të reagojë në transfertën e Laçit, duke mos u justifikuar me mungesat.