Ekipi i Vllaznisë ka marrë një fitore të rëndësishme në ditën e sotme, teksa ka mposhtur Flamurtarin me rezultatin 3-0.
Gjoka është shprehur i lumtur për rezultatin e arritur, ndërsa shprehet se është e frikshme kur kthen kokën në të kaluarën.
“Për hir të së vërtetës ndeshja e sotme ka qenë e mirë. Kjo ka ardhur sipasojë e fazës së tretë, pasi kemi rritur rezultatet tona. Edhe në Laç kemi zhvilluar një takim të mirë. Ndryshimi është se sot ka ardhur goli, ndërsa përballë kishim një ekip të rrezikshëm si Flamurtari.
Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër, përveçse për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Kjo pasi nuk mund të qëndrojmë ndryshe në Superiore. Takimi i sotëm është për t’u përgëzuar dhe për këtë dua të falenderojë edhe futbollistët e tij.
Mungesat janë pjesë e lojës, pasi edhe ne kishim një mungesë të rëndësishme si Malota. Ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara. Është e frikshme kur kthejmë kokën prapa dhe kemi grumbulluar ekipin pas pikës së marrë nga Teuta në ndeshjen e djeshme. Nëse ndryshojmë mentalitet dhe vrasim frikën, atëherë do e kryjmë atë mision që kemi marrë përsipër.
Ne kemi qenë gjithmonë të kujdesshëm, pasi Alvesh, Bushiç dhe Kamara janë futbollistë shumë të rrezikshëm. E rëndësishme është që të fitojmë, pak rëndësi ka se kush shënon. Penalltinë do e ekzekutonte Sukaj, por kërkuam një gol të kapitenit, megjithëse ai nuk e pati këtë fat. Do të doja të harroja gjërat që kanë ndodhur, por duhet të ecim përpara”, është shprehur Ernest Gjoka.
Ndërsa, trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro u shpreh:
“Mungesat patjetër që janë të shumta, 7-8 futbollistë, por sot më ka ngelur pishman se skuadra në pjesën e parë, në 20 minutat e para ishet dominuese, nga momenti në moment mund të shënonim ne, Vllaznia po mbrohej.
Goli i parë u dha qetësi, pastaj edhe i dyti, nuk mund të flas në pjesën e dytë për lojën. Mungesat ishin të konsiderueshme, por e thashë që në pjesën e parë isha i kënaqur nga loja, por i mërzitur nga momentet e golave.
Jo për t’u justifikuar por e kam parashikuar që me Luftëtarin, atëherë kishim mungesa dhe sot edhe më shumë. Ishim pa mesfushën, e dija që në këto dy ndeshje do të vuajmë, e kisha të qartë se kam shumë dëmtime, 3-4 lojtarë do kthehen pas disa javësh, kemi pasur dhe shumë kartona, e dimë që ky muaj do të jetë i vuajtur, por e rëndësishme është që ne të kemi grupin të plotë për objektiva si Kupa, ashtu edhe Europa. Të paktën në fund skuadra të jetë e plotë, e gatshme. Pavarësisht rezultateve, skuadra jonë është solide”, u shpreh Duro.