Kukësi, Shameti: Më mirë me trajnerin Pakult, humbja me Lushnjën na kushtoi shumë

5 Mars 2018, 13:12Sport TEMA

Kukësi fitoi dje në Lushnjë dhe u shkëput nga Flamurtari, që luan sot në Shkodër ndeshjen e tij. Kapiteni i skuadrës kampione, Ylli Shameti, mendon se tani grupi po funksionon më mirë me trajnerin Peter Pakult.

Duke bërë një analizë të ecurisë së skuadrës deri në këtë moment, mbrojtësi gjiroakstrit shprehet se humbja në stadiumin “Zeqir Ymeri” me Lushnjën, në fazën e dytë, ishte një goditje e madhe, që solli më pas këtë diferencë pikësh me Skënderbeun kryesues:

“Diferenca me Skënderbeun? Mendoj se një nga gabimet më të mëdha që kemi bërë në këtë kampionat është humbja 1-3 me Lushnjën në fushën tonë. Pas asaj humbjeje mbetëm prapa. Fitoret të japin mentalitetin e duhur për ndeshjet e ardhshme.

Milinkoviç apo Pakult? Jemi në një moment të mirë me trajnerin Pakult, pavarësisht se nuk kemi marrë pikët e duhura. Megjithatë, jemi në zonën europiane. Janë disa ekipe që pretendojnë vendin e dytë apo të tretë.

Në fushën tonë nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Duhet të jemi më cinikë për të marrë maksimumin e pikëve në çdo ndeshje”, – ka thënë dje në mbrëmje kapiteni i Kukësit për “Zona gol”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje