Laçi-Skënderbeu/ Daja: Lojtarët me përvojë bëjnë motivimin e brendshëm të grupit; Mezani: Na mohuan një gol të rregullt

4 Mars 2018, 16:33Sport TEMA

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli pas fitores së thellë me Laçin.

Trajneri i bardhekuqëbe deklaroi se është i kënaqur nga fakti që ekipi i tij vazhdon të shfaqë të njëjtin entuziazëm dhe të marrë rezultate të mira.

Sipas Dajës, në ndeshjen e sotme edhe loja ishte mjaft e mire, ndërsa për Jashanicën trajneri shpreson të marrë dënimin minimal.

“Përveç dygolëshit të Souesë dhe golit të Krasniqit, mendoj se sot ishte pozitiv edhe fakti që e nisëm ndeshjen në mënyrën e duhur. Shënuam dhe e vumë në vështirësi kundërshtarin. Kishim ekuilibër dhe dua të veçoj lojën me rendiment të Nimagës dhe të Ditës.

Lojtarët që e meritojnë, do të mbajnë fanellën e titullarit. Përballuam një kundërshtar të vështirë, që luan mirë dhe që mban një pozicion të mirë në renditje. Ekipi vazhdon me rezultatet pozitive dhe sot kemi bërë edhe një performancë shumë të mirë.

Lojtarët me përvojë janë përkrah stafit teknik dhe bëjnë atë motivimin e brendshëm të grupit. Ky është çelësi i motivimit dhe që të kemi entuziazëm në lojë në çdo ndeshje.

Jashanica? Zyra juridike e klubit po e ndjek çështjen që lojtari të marrë dënimin minimal. UEFA  i ka të qarta substancat e ndaluara. Jashanica do ta vuajë situatën në një rast kur nuk është faji i tij. Lojtari nuk është fajtor. Nëse do të ishte, do t’i kërkoja presidentit të mos ishte pjesë e ekipit.

Karakterisitikat e disa lojtarëve nuk e bëjnë të mundur të kalojmë me skemën 4-4-2, që më pëlqen personalisht”, tha Daja.

Kurse, trajneri i Lacit Gentian Mezani u shpreh:

“Vazhdojmë të pësojmë gol në minuta e para dhe kjo gjë na vë në vështirësi. Nëse nuk do të pësonim, do të luanim më mirë. Pjesën e dytë u munduam të reagonim në 10 minuta e para dhe nuk arritëm të shënonim. Pas golit të tretë, nuk mund të bënim asgjë.

Nuk është varësi nga Rexhinaldo, sepse në skuadër kanë shënuar shumica e lojtarëve. Mungesa e Nikës na ka vendosur pak në vështirësi. Edhe Lushkja po ashtu.

Mendoj që është gol i rregullt ai që na është anuluar, por është e kotë të diskutojmë tani që gjithçka ka përfunduar. Ka pasur një shtyrje në atë rast.

Nuk jemi pajtuar me mesin e renditjes. Shpresojmë të kthehemi sa më parë në lojën dhe rezultatet tona. Kanë ndikuar edhe mungesat”, tha Mezani.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje