Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ishte sot në Shkodër për të festuar 7 Marsin.
Ministri Bushati dhe zëvëndëskryeministrja Mesi zhvilluan një takim në bibliotekën e Universitetit Luigj Gurakuqi, ku patën një bashkëbisedim me studentë të ekselencës dhe me stafin pedagogjik.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal tek rëndësia e sistemit arsimor për shoqërinë. “Në kohën tonë, mësuesi ishte pikë referencë jo vetëm për dijen por edhe për edukimin si koncept”, theksoi Ministri Bushati.
Sipas tij, arsimi po përballet sot me sfida të ndryshme dhe është detyra e shkollës për përgatitjen e brezave të së ardhmes.
Duke u ndalur tek Universiteti Luigj Gurakuqi, Ministri Bushati vlerësoi disa nga emrat që kanë bërë histori dhe u shpreh se ky universitet i përgjigjet dinamikave të këtij rajoni të Shqipërisë por dhe të Kosovës.
Deklarata e plotë e Bushatit:
Së bashku me Senidën zhvilluam një takim me studentët e ekselencës të Universitetit të Shkodrës që mban emrin e simbolit të arsimit kombëtar Luigj Gurakuqi.
7 marsi është dita për të kujtuar me përulësi të gjithë ata që kujdesen për edukimin e brezave dhe shëndoshjen e vlerave të shoqëtisë sonë. Figura e mësuesit është e lidhur jo vetëm me dijen por edhe me edukimin shoqëror si koncept.
Faleminderit të gjithë atyre që u kujdesën për edukimin tonë dhe atyre që tashmë kujdesen për edukimin e fëmijëve tanë.