Berluskoni: Mbetem regjisori i së djathtës. Salvini: Jemi shpresa e italianëve

7 Mars 2018, 10:42Bota TEMA

Disa ditë më parë, ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, parashikonte se partia e tij, Forza Italia, do të dilte forca e parë në zgjedhje.

Rezultatet treguan se partia më e madhe është Lëvizja 5 Yjet.

Forza Italia nuk doli forcë e parë as brenda koalicionit të së djathtës.

Lega e Mateo Salvinit gjeti më shumë mbështetje te votuesit e djathtë.

Tashmë Berlusconi shprehet i kënaqur me rezultatet e koalicionit dhe thotë se regjisori mbetet ai vetë.

“Në respekt të aleatëve dhe marrëveshjeve me ta, mbetem lideri i Forza Italia-s. Do të jem regjisori i qendrës së djathtë, do të jem garant i unitetit të koalicionit”, tha ai.

Ndërsa Salvini ka cekur paksa përpjekjet për krijimin e qeverisë së re. “Jam i kënaqur nga kompaktësia e qendrës së djathtë, do të shkojmë së bashku në qeveri. Jemi koalicioni i parë, jemi shpresa e italianëvë”, ka thënë ai.

Salvini këmbëngul në kërkesën për të nisur takimet në Presidencë. “Ka një parlament, ka një kandidat për kryeminisër dhe një program që do ta nxjerrë Italinë nga zona e gropave thithëse”, ka thënë ai.

A duhet të frikësohet Europa nga shumica e re që prodhuan zgjedhjet italiane? Salvini thotë se disa gjëra do të ndryshojnë.

“Jo,  nëse italianët kanë pasur frikë nga Europa në vitet e shkuara, ne do të shkojmë në Europë për të ndryshuar rregullat që varfëruan italianët”.

Në lidhje me të majtën dhe ish-kryeministrin Renzi, ai thotë: “Renzi është viktimë e arrogancës së vet. Sa keq, sepse ka një traditë që e majta nuk voton dhe nuk shikon nga Lega, por ne do të përpiqemi t’i mbledhim këto forca”.

Ndërsa në lidhje me Lëvizjen 5 Yjet, Salvini shfaqet indifferent. “I shoh vetëm në televizior”, thotë ai.

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje