Ky edicion i Kategorisë Superiore po dhuron disa statistika shumë të çuditshme në krahasim me një vit më parë. Me luftën për titull thuajse të mbyllur dhe me Lushnjën që ka marrë rrugën drejt Kategorisë së Parë, i gjithë diskutimi është rreth emrit që do të shoqërojë këtë skuadër si dhe ata që do të prejnë biletën për Europën.
Në një sezon ku skuadrat kanë pasur luhatje shumë të mëdha në krahasim me një vit më parë, bie në sy një raport shumë i çrregullt në bilancin mes golave të shënuar dhe pikëve të siguruara.
Marrim për shembull Kukësin. Një vit më parë, skuadra e drejtuar nga Gjoka kryesonte kampionatin me 47 pikë falë 27 golave të shënuar. Në një paradoks të çutishëm, këtë vit ka shënuar 11 gola më shumë, por ka 8 pikë më pak.
E njëjta gjë ndeshet edhe te Partizani, i cili në krahasim me një vit më parë, ka 11 pikë më pak, ndonëse ka shënuar 2 gola më shumë, duke përmirësuar nga 23 në 25 numrin e golave të realizuar pas 23 javësh kampionat. Vllaznia ka 4 gola më shumë e 2 pikë më pak në krahasim me një vit më parë, ndërsa Teuta ka 9 gola më shumë e 4 pikë më pak.
Skënderbeu është përmirësuar ndjeshëm para portës në krahasim me një vit më parë, pasi regjistron 22 gola më shumë, por ka përmirësuar me vetëm 6 pikë bilancin.
Luftëtari ka shënuar 5 gola më shumë dhe ka po aq pikë më shumë se një vit më parë, ndërsa Laçi regjistron një përmirësim të ndjeshëm me 12 gola e 11 pikë më shumë se në sezonin e kaluar.
Por statistikën më të çuditshme e dhuron skuadra e Flamurtarit. Kjo e fundit rezulton se ka shënuar 2 gola më pak se një vit më parë, por ka 15 pikë më shumë (9 nëse llogaritet se 6 pikë iu hoqën nga KDS). Një bilanc shumë i çuditshëm që tregon se kampionati aktual i Superiores është shumë anormal e shumë më i paparashikueshëm në përfundimin e tij. /vipsport.al/