Komisioni i Disiplinës ka dënuar me dy javë dy lojtarë të Lushnjës, Endri Maganin dhe Gentian Çelën, për sjellje josportive ndaj lojtarit kundërshtar.
Ndërsa, klubi lushnjar ka marrë një paralajmërim se në rast përsëritjeje të sjelljes së gabuar të spektatorëv, do të dënohet sipas dispozitave që parashikon KDSja.
Në këtë sezon, klubi lushnjar është dënuar me katër gjoba (8 milionë lekë (të vjetër në total) dhe zhvillimin e një ndeshjeje pas spektatorë (Lushnja-Kamza), ndërsa tani merr një paralajmërim. Nga selia e verdhejeshilëve nuk ka asnjë reagim.
Sekretari i klubit, për arsye shëndetësore, ka gati tre muaj që nuk është në detyrë, ndaj mungon informacioni zyrtar. Mbrojtësi Magani, në një prononcim për “Panorama Sport”, pasi është njohur me dënimin, u shpreh: “Të shikohet pak dhe ai bërryli i Kalesë sepse ishte dhe ai për të kuqe dhe për komision. Mora një bërryl në fytyrë, që e panë të gjithë. E kam mjekuar pak me akull dhe ndihem mirë. Më vjen keq që do të mungojë me Skënderbeun dhe me Laçin”, u shpreh mbrojtësi Magani.
Ndërsa “veterani” Çela ka deklaruar: “Thjesht treshja e gjyqtarëve do të justifikonte gomarllëkun që bëri në fushë. Nuk ndodhi gjë as për një karton të verdhë, jo më për të kuqe dhe të marrësh dy javë pezullim. Gjithsesi, do të pranoj vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe shpresoj që në të ardhmen të na bjerë një treshe arbitrimi, e cila të jetë e denjë për të drejtuar ndeshje të Superiores”, deklaroi Çela.
Njësoj si Magani, edhe Çela do të mungojë si në ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut, ashtu edhe të mërkurën e ardhshme, kur Lushnja do të presë në shtëpi Laçin.