REPORTAZHI: Për “Ditë Vere” në Elbasan

14 Mars 2018, 15:10Kulturë TEMA
REPORTAZHI: Për “Ditë Vere” në Elbasan

Nga Armend Pire 

Në xhamin e makinës po na rrezatonte një diell i fuqishëm dhe verbues. Me të kaluar tunelin na kishte mbetur jo më tepër se 20 minuta nga qendra e qytetit. Një ditë më parë, të lodhur nga monotonia e kafeneve të kryeqytetit vendosëm ta thyenim këtë rutinë të bezdisshme. Jemi nisur drejt Elbasanit. Shmangëm trafikun duke udhëtuar herët në mëngjes. Data shënon 14 mars. Dita e Verës, siç na kishin thënë, vjen vetëm në Elbasan.

Ndaj dectinacioni ynë ishte drejt tij. Në kthesën e fundit që merr para se të hysh në Elbasan na priti “i gjithë qyteti”. Ç’të shihje! Nja pesëdhjetë tavolina të mbushura me ballokume ishin rreshtuar njëra pas tjetrës nga të dyja anët e rrugës. Uau- tha njëri prej nesh, po këta e dinin se do vijim ne dhe po na presin me tryezat shtruar? (Qeshim). Gra, burra, të rinj e të reja, fëmijë madje dhe gjyshe nën moshë që kishin dal që pagëdhirë për të shitur përgatitjet e tyre të Ditës së Verës, kryesisht ballokume. Tek posta po na priste një mikesha jonë, bashkë me disa petulla të ngrohta.  Ishim nisur pa mëngjes dhe kishim uri.

Na nevojitej edhe nga një kafe. Hipëm diku në një lokal sipër kalasë që të kishim fushëpamje. Veç të vështroje. I gjithë bulevardi i tej mbushur me njerëz. Aq njerëz saqë edhe kur luante Shqipëria nuk vijnë në stadium. Mos shihni të çuditur- tha kamarieri teksa na shërbente kafet, kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Kishim qenë dhe herë të tjera në Elbasan, por kaq njerëz nuk i kishim parë kurrë. Pamja i përngjante ndonjë mitingu madhështor partiak. Dielli shkëlqente për bukuri. Tek-tuk dëgjohej cicërima e ndonjë zogu shtegëtar. Dallëndyshet nuk dukeshin gjëkundi. Ato vinin disa javë më pas.

Tek Panairi i Elbasanit

Tezgat e Panairit ishin ngritur ngjitur njera-tjetrës. Mbi njëqind biznese kishin mbërritur në Elbasan. Produktet e tyre të shumëllojshme i ngjanin vitrinave evropiane. Diku tregtohej mjaltë, diku suvenire, bulmet, produkte ushqimore të ndryshme, zeje artizanale, verore,  lule, ballokume dhe një gamë e gjerë produktesh. Për të dytin vit rradhazi kishte mbërritur edhe Panairi i Librit ku merrnin pjesë mbi dyzetë shtëpi botuese. Të dukej sikur i gjithë Elbasani kishte marrë vëmendjen e gjithë Shqipërisë për një ditë të vetme. U shpërndam kush e kush tek tezgat e preferuar.

Njëri prej nesh nisi një bisedë miqësore me një nga tregtarët e suvenireve. Një plak i mbajtur rreth të shtatëdhjetave. Quhej Mustafa. I kish punuar në punishten e tij të vogël në një lagje këtu afër. Ngjitur me të ishte edhe gruaja e tij e shoqëruar nga e mbesa që dukej moshatarja jonë. Një vajzë pak e mbushur, zeshkane, me dy sy që i shëndrrinin dhe mjaft simpatike.

Gjyshja e thërriste Aba, shkurtimi i emrit Frealba. Kishin përgatitur së bashku disa tepsi të mëdha me balakume dhe po i tregëtonin. I dashuruar pas gatimit, kisha mundësinë më të artë të mësoja si përgatiteshin ballokumet. Përshëndetemi dhe hyjë drejt e në temë pasi i’u urova një verë të mbarë. Vajza nisi të më tregojë:“Përbërsitë e ballokumes tashmë dihen, mjell misri, gjalpë i freskët, vezë fshati, dhe sheqer. Ena që përdoret gjatë përgatitjes duhet të jetë prej bakri. Tradicionale e elbasanllinjve është  fakti që gjatë procesit hiqet një dorë mjell misri dhe e zvendësojmë me mjell gruri”. U çudita pak, por arsyeja ishte me të vërtetë interesante. Mjelli i grurit e mbante më të mbledhur brumin duke e ngjitur mjaftueshëm. Në përbërsitë e ballokumes kishte edhe një ingredient sekret që shërbente për të bërë brumin akoma më të shkrifët. U detyrova të premtojë se do ruaj sekretin e vendasëve. Nga ajo tezgë nuk dolëm padyshim duar bosh. Ballokumet ishin aq të mira sa aroma të tundonte t’i provoje në çast. Përshëndesim gjyshin, gjyshen dhe Abën dhe vijojmë shëtitjen.

Në qytet

Nga sahati i Elbasanit ora shënonte 11:00. Kishim mjaftueshëm kohë të shijonim atmosferën. Dielli po nxehte pak por ishte i durueshëm. Ndërkohë që bisedoja me Abën, vajzën e ballokumeve, pjesa tjetër e grupit pa kuptuar kishin bërë një bisedë me gjyshen e saj. U interesonte tradita elbasanase mbi festën e Ditës së Verës. Gjatë shëtitjes po na tregonin se kjo festë e kishte zanafillën nga pushtuesit turq. Në kohën e Perandorisë Osmane. Kjo datë ishte allaturka, sipas fjalorit të vjetër, ndërsa në Turqi njihej si datë zyrtare e Ditës së Verës 1 marsi. Në thelb Dita e Verës simbolizon ardhjen e stinës së pranverës dhe çeljen e luleve.

Ka qenë festë autoktone elbasanase që në kohën e lashtë. Banorët e Elbasanit e festonin duke shkëmbyer vizita mes të afërmëve, komshinjtë. Madje festimet bëheshin në natyrë duke konsumuar ushqime që përgatisnin gratë nëpër shtëpitë e tyre.  Më të lumtur se gjithë të tjerët ishin fëmijët. Ata i jepnin bukurinë me të madhe kësaj feste. Duke lodruar e gumëzhitur ishin sinjali më i mirë i një vere të mbarë.

Me krenari dhe vetmburrje banorët e qytetit shkëmbenin me zë të lartë e kumbues rendësinë e asaj dite. Madje nuk nguronin ta quanin veten “zotër” dhe trashëguesitë e vetëm të Ditës së Verës.

Organizimi

Diku aty në cepin e sheshit bashkia kishte ngritur një skenë gjigante për të organizuar edhe një sërë koncertesh. Eiqendra e festimeve ishin nxenësit e shollave 9-vjeçare dhe të mesme. Shoqëroheshin kryesisht nga trupa baleti dhe vjersha të ndryshme. Në rrugicën e bulevarditë grupe të tjera me nxënës zhvillonin karnavale.

Të udhëhequr nga mësuesit, maska shumëngjyrshe dhe veshje nga më modernet e deri tek më tradicionalet parakalonin hareshëm. Tek Panairi nuk kishte vetëm biznese, por edhe shkolla e gjimnaze. Nxënës të përzgjedhur kishin përgatitur produkte të ndryshme për t’i tregëtuar duke përfaqësuar shkollën përkatëse.

Drejt Krastës

Ora po shkonte. Dita dukej aq e shkurtër saqë nuk po dinim ç’të bënim më parë. Qyteti nuk të lëshonte pasi në të flinte tradita e kultura. Gëdhendej histora shumë vjeçare dhe padyshim dashuria e madhe që ky qytet dhuronte për ditë të tilla festive.

Nisemi drejt destinacionit të fundit?-pyeti dikush nga ne. Do të vizitonim edhe Krastën,  njihej si vendi më historikë ku festohej Dita e Verës. Mali të ofronte qetësinë e natyrës. Vakt dreke dhe filluam të ndjenim sërish uri. Veç ballokumeve gatimi më tradicional ishte edhe tava e kosit me mish qingji.

Një nga gatimet me madhështore që banorët e Elbasanit e përgatisin mjeshtërisht. Për të nuk kishim mjaftueshëm kohë të pyesnim, por vendosëm të marrim pesë rracione në një restorant me gatime tradicionale. Rruga për në Krastë ishte e shkurtër. Përpara nesh kishin mbërritur edhe dhjetra familjar të tjerë. Kishin shtruar batanie dhe kishin hapur mbi to gatimet e përgatitura në shtëpi.

Disa të tjerë po përgatisnin zgara me mish ndërsa të tjerë merreshin me rregullimin e ambjentit. Diku tutje dëgjoheshin zërat e fëmijëve duke luajtur. Kishin mjaftueshëm energji për të vijuar me të njejtin ritëm të gjithë ditën. U larguam pak nga zhurma e qytetit për t’u rehatuar nën hijen e pemëve dhe flladit pranveror. Është vendi më i përshtatshëm për të mbyllur ditën më festive të qytetit. Një bisedë shoqërore dhe mjaft mallëngjyese kishte mbërthyer rrethin tonë. Teksa shijonim ushqimin sillnim ndërmend lumturinë që përçohej nga një ditë e vetme. Pa dyshim mënyra e festimeve ka ndryshuar. Sot kjo festë nis një natë përpara.

Më 13 mars lokalet dhe diskot e Elbasanit tejmbushen nga rinija e qytetit. Festohet me muzikë dhe këngëtar të ndryshëm. Nuk dallon asgjë nga mbrëmjet e tjera me muzikë live përveçse nganjëhëre gjatë muzikës dëgjohet një urim i shurdhët “Gëzuar Ditën e Verës”. Dreka festohet në restorante. Si gjithkush feston me familjen e vet dhe pa shumë “hallakatje”. Ne vendosëm ndryshe.

Sipas mënyrës tradicionale duke shijuar natyrën. U argëtuam pamasë. Njerëzit e qytetit na e bënë më të lehtë këtë ditë, por tashmë duhet të hipnim në të njejtën makinë që na solli për t’u kthyer pikërisht aty ku nisëm të planifikonim këtë ditë. Me vete, veç ballokumeve, morëm edhe një ditë mjaft të bukur që duhet t’ua tregojmë miqëve që na presin në kryeqytet. Ora tani shënonte 15:00. Makina u drejtua edhe njëherë drejt tunelit.

 

2 komente në “REPORTAZHI: Për “Ditë Vere” në Elbasan”

  1. ''....askush nuk urrehet me shume se ai qe thote perhere te verteten''[PLATO] says:

    ”dite vere” ne nje vatan te mbitur nga shiu,balta dhe kanocet plastike………………………!

  2. eri says:

    Elbasani im, sa e ndiej mungesen ne emigracion, sidomos ne dite te shenuara si dita e veres!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje