Trajneri i skuadrës së Laçit, Gentian Mezani, foli pas fitores së arritur kundër Kamzës.
Tekniku i kurbinasve u tregua shumë modest dhe shprehet se ende nuk është ajo skuadra e dy fazave të para të kampionatit.
“Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë, sepse Kamza është skuadër e fortë, mbrohet me shumë forca. Në pjesën e dytë jemi futur të bindur dhe ia kemi arritur qëllimit të fitojmë.
Sa më lart të shkojmë, aq më e vështirë bëhet për ne. Duhet të bëjmë më mirë në vazhdim, që të mos zhgënjejmë tifozërinë, që sot ishte e shumë në stadium, presidentin dhe gjithë të tjerët.
Dua një rezultat që na favorizon nga ndeshja e Kukësit, por kuptohet që është mirë të shohim ndeshjet tona, sepse jemi akoma larg lojës së dy fazave të para.
Po kërkonim në mënyrën e gabuar golin, pasi kundërshtari mbeti me 10 vetë. Duhej ta qarkullonim më mirë topin dhe të godisnim nga krahët, kështu erdhi edhe goli i parë. Nuk e kemi menduar këtë pozicion, por thjesht duhet të jemi me këmbë në tokë. Nëse luajmë si në fazën e dytë, do të jemi një skuadër e fortë për t’u mundur. Nuk shohim as vendin e dytë dhe asgjë tjetër”, u shpreh Mezani.
Kurse, trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, tha:
“Normalisht protesta jonë ishte shumë e shkurtër dhe e vogël se nuk mund të braktisësh fushën, do të shoh ndeshjen edhe një herë para se të dal me një gjykim. Nuk mund të them gjë për rastet pa e parë edhe një herë të gjithë ndeshjen.
Nuk mund të kapësh fragmente të ndeshjes, nuk mund të thuash se u vendos nga mosmarrëveshje. Në momentet kur del me të kuq një lojtar dhe luan jashtë fushe, është kundërshtari në favor. Këto janë episodet, në ndeshjen me Flamurtarin ishte 2-1 për ne dhe nuk e di se ku i kishte sytë anësori, pozicion jashtë loje dhe penallti.
Sot menduam t’i jepnim mundësinë Avdylit, është më i mirë me topat e lartë në zonë. Por në vendin ku morrëm masat, aty gabuam. Por ndodhi goli dhe nuk ke çfarë të thuash.
Mendoj se jemi shumë të qetë, në katër ndeshjet e fundit nuk kemi treguar shenjë nervozimi. Ka momente kur skuadra tensionohet, por mendoj se jemi shumë të qetë.
Kampionati është i ashpër por e rëndësishme është që skuadra po luan më mirë, që në ndeshjen me Vllazninë, në Vlorë dhe sot. Duhet të ndajmë nervozimin me luftën e fortë sportive. Më kënaq skuadra që vrapon, punon dhe jep maksimumin në fushë. Kemi bërë ndeshje shumë të mira pavarësisht se rezultatet nuk kanë ardhur”, përfundoi Ndreu.