Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, ka folur pas fitores së vështirë të marrë në transfertë kundër Lushnjes.
Trajneri i durrsakvë u shpreh se ekipi nuk e kishte nën vlersuar këtë takim dhe vetë ecuria ndeshjes e tregoi këtë gjë ku Teuta fitoi në fund.
Begeja u shpreh se reparti mbrojtës lë shumë për të dëshiruar duke theksuar se me këtë grup lojtarësh që ka do të marrë më të mirën deri në fund.
“Sigurisht, ne kishim vlerësuar ndeshjen në maksimum, përpos opinionit që mund të thonin që kjo ishte e lehtë në letër. Por e patë vetë, komplimiente Lushnjës që luftoi. Kemi pësuar dy gola që ia kemi falur vetë kundërshtarit, ekipi nuk ishte në ekuilibër. Skuadra duhet falënderuar se nga 0-2 nuk ishte e lehtë ta kthenim, kemi zhvilluar takim të mirë përveç, pësimit të dy golave. Do të kemi kohë të reflektojmë dhe të presim me qetësi takimin e ardhshëm.
Ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të rregulluar të paktën problemet në repartin e mbrojtjes, edhe mënyrën se si mbrojmë si skuadër. Kemi probleme se nga java në javë kemi bërë gabime, por me këtë skuadër, me këto lojtarë, do të mundohemi të marrim më të mirën.
Mendoj se nuk është çështje fati, por cilësie. Ka pasur ndeshje që kemi pasur fat të keq që jemi ndëshkuar, por kishte edhe si sot që shënuam në fund, apo me Partizanin, nuk është çështje fati. Kam bindjen se duhet punuar më shumë në aspektin mbrojtës si skuadër, se edhe në prapavijë kemi lojtarë që nuk janë aty ku unë pres.
Me Kukësin gjetëm forca e reaguam, deri në fund edhe sot ekipi luftoi për të gjetur fitoren, por mendoj që gabimet në mbrojtje penalizojnë ekipin. Ky kontingjent është, kjo skuadër kur pëson gol është e vështirë që të reagosh. Por e thashë edhe më parë, mundohemi të punojmë se nuk kemi se çfarë të bëjmë”, deklaroi Begeja.
Ndërsa trajerni i Lushnjes, Çuko u shpreh:
“Kam për detyrë të punoj më tepër në mesfushë tek ekipi i Lushnjes pasi vuajmë në këtë drejtim. Megjithatë duhet të rregullojmë edhe pjesën psikologjike, pasi sportistët nuk e përballuan takimin pasi shohin se kanë shënuar dy gola. Duhet të rregullojmë gjendjen psikologjike dhe të qarkullojmë topin.
Ne duhet të promovojmë lojtarët e rinj dhe në këtë ndeshje ndoshta kanë ndikuar 3 zëvendësimet e detyruara që unë kam bërë. Matematikisht nuk jemi ende të dalë nga kampionati, por jemi në një gjëndje të vështirë”, është shprehur Çuko.